Fëmijët e paregjistruar, Ruçi: Duhet të jemi të gjithë dhe gjithmonë në alarm

Kuvendi i Shqipërisë ka shqyrtuar një çështje problematike, atë të fëmijëve të paregjistruar, që vërehet kryesisht tek të lindurit në emigracion.  Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, thirri  mbledhjen e grupit parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”, dhe teksa shprehu pakënaqësi për mungesën e ministrave, tha se për regjistrimin e fëmijëve duhet të jemi të gjithë dhe gjithmonë në alarm.

Fjala e plotë e Gramoz Ruçit

Përpara se të vijojmë me rendin e ditës, do të dëshiroja që në këtë organizëm të Kuvendit, në mbledhje pas mbledhje të shtohen akoma edhe më shumë, dhe veçanërisht me deputet të rinj. Prandaj do të përsërisja thirrjen që të gjithë deputetët që kanë dëshirën, kanë ndjeshmërinë dhe duan të kontribuojnë për të drejtat e fëmijëve, janë të mirëpritur të bëhen pjesë e Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”.

Dëshiroj të përgëzoj Grupin për zhvillimin e aktiviteteve sipas kalendarit që kemi miratuar dhe t’ju inkurajoj për një angazhim më të madh në vijimin e punës.

Qëllimi jonë është avancimi i axhendës për trajtimin e çështjeve të fëmijëve në Kuvendin e Shqipërisë dhe plotësimi i detyrave që rrjedhin nga plani i punës dhe kalendari i veprimtarive të Grupit.

Raporti është përgatitur nga TLAS, me mbështetjen e agjencive të Kombeve të Bashkuara UNICEF dhe UNHCR, në kuadër të Koalicionit për të Drejtën e Çdo Fëmije për Shtetësi.

Raporti prezanton katër çështje:

Përmasat e problemit të pashtetësisë në vend.

Grupet e shoqërisë që preken.

Mungesat në legjislacion.

Hapat që duhen ndërmarrë nga institucionet përkatëse për adresimin e këtyre problematikave.

Problemi i pashtetësisë prek personat që nuk janë shtetas sipas ligjit të asnjë shteti dhe si pasojë nuk mund të gëzojnë aksesin në shërbime dhe të drejta, si: shkollimi, shëndetësia, strehimi, punësimi, dhe nuk mund të integrohen në shoqëri.

Në rastin e Shqipërisë ky problem haset kryesisht në fëmijët e lindur veçanërisht në emigracion, apo të lindur jashtë martese, të lindur nga prindër të parregullt ose të parregjistruar, si dhe në fëmijët Romë dhe ata Egjiptianë, por edhe të huaj, që kanë vështirësi të regjistrohen në gjendjen civile apo të pajisen me dokumente udhëtimi në vendin tonë.

Unë mendoj se duhet t’i kushtohet një vëmendje më e madhe jo vetëm studimore, por ligjore dhe institucionale, trajtimit të problemeve të fëmijëve që i kanë këto pasoja për shkak të lindjes në emigracion, në kuadrin e rishikimit të vizionit dhe punës sonë me Diasporën.

Shqipëria, dihet që ka ratifikuar Konventën e OKB-së mbi Refugjatët, Konventën mbi Eliminimin e Pashtetësisë dhe Konventën e vitit 2000 të Këshillit të Evropës mbi këtë qëllim, të cilat imponojnë detyrime përkatëse mbi shtetin shqiptar.

Por njëherësh legjislacioni ekzistues kombëtar nuk pasqyron të gjitha detyrimet ndërkombëtare që rrjedhin nga këto konventa, veçanërisht ato që lidhen me parandalimin e pashtetësisë në fëmijëri.

Me qëllim adresimin e problematikave që hasin personat pashtetësi, mendoj që ne duhet të veprojmë në tre drejtime kryesore:

Të rishikojmë tarifat e larta që pengojnë prindërit nga familje të varfra që nuk regjistrojnë fëmijët e tyre.

Për këtë arsye, në këtë mbledhje janë ftuar të marrin pjesë edhe ministrat e linjës, përfaqësues të institucioneve të krijuara me ligj, të agjencive shtetërore që kanë në fushën e tyre të përgjegjësisë çështjet për të cilat diskutojmë sot, në mënyrë që të njihen me gjetjet e raportit, e të adresojnë në mënyrën e duhur për zgjidhje të të gjithë problematikat që raporti ka identifikuara.

Për regjistrimin e fëmijëve duhet të jemi të gjithë dhe gjithmonë në alarm.

Gramoz Ruçi

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Dritan HIla: Doktori që nuk harron vesin

Dritan HIla: Doktori që nuk harron vesin