TIRANE- Në vendin tonë rreth 12 për qind e çifteve, nuk mund të ngjizin një fëmijë në mënyrë natyrale. Kështu që ata u drejtohen metodave të riprodhimit të asistuar. Mirëpo në vendin tonë, metoda in-vitro, ose siç njihet ndryshe "bebe në epruvetë", ofrohet vetëm nga dy klinika private dhe është shumë i shtrenjtë.

Pikërisht për këtë arsye po shikohet mundësia që ky shërbim të futet edhe në maternitetin shtetëror "Koço Gliozheni", duke u dhënë një mundësi edhe atyre çifteve që nuk kanë para, të kenë një fëmijë të tyrin. Kjo do të bëhet e mundur falë një projekti të financuar nga BE dhe që synon ngritjen e një rrjeti qendrash ndërkufitare mbi riprodhimin e asistuar dhe mjekësinë rigjeneruese në zonën Adriatikut". Sipas drejtoreshës së maternitetit "Koco Gliozheni", Rubena Moisiu, ky projekt do të mundësojë që për herë të parë në maternitetet publike shqiptare të krijohet infrastruktura e nevojshme për zbatimin e procedurave të fertilitetit të ndihmuar medikalisht, që sot është i mundur të realizohet vetëm në klinikat private brenda apo jashtë vendit.

Me një kohëzgjatje 2- vjeçare, projekti parashikon rritjen e aksesit, zgjerimin dhe përmirësimin e shërbimit ndaj fertilitetit të ndihmuar medikalisht në zona të ndryshme të rajonit të Adriatikut, harmonizim të politikave të shërbimeve shëndetësore e përvojave të partnerëve të Adriatikut Lindor duke mbështetur mobilitetin gjeografik dhe profesional të stafit mjekësor dhe vetë pacienteve. Çështja e qelizaveamë, teknologji e njohur dhe përdorur në botë që nga viti 1978, në Shqipëri është ende në bëlbëzimet e para. Deri tani kjo metodë është zbatuar vetëm në rastet kur me kërkesë të pacientit, merren për t'u ruajtur copëza të kordonit ombelikal të sapolindurit për trajtime eventuale në të ardhmen. "Pikërisht për këtë arsye, ky projekt i iniciuar nga materniteti "Koço Gliozheni", mbështetur nga Komuniteti Evropian Adriatic IPA, Cross Border Cooperation 2007-2013, është me shumë rëndësi, sepse shënon fillimin e përcaktimit të mënyrave dhe mjeteve, që nevojiten për ta ofruar këtë mundësi në shërbimet tona shëndetësore publike të specializuara, ndonëse, duhet përmendur se është i kushtueshëm", - ka deklaruar ministri Tavo. Në vendin tonë nuk ka shifra të sakta për këtë metodë, por që nga 2004 rreth 1000 çifte janë bërë prindër falë aplikimit të kësaj metode. Vetëm në maternitetin "Koço Gliozheni" kanë lindur rreth 497 fëmija, të cilët e kanë konceptuar shtatzëninë e tyre me anë të kësaj metode.
(Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com)