Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala, publikoi në rrjetet sociale disa pamje nga Kardiokirurgjia Pediatrike në QSUT, një nga shërbimet ku sipas saj falë profesionalizmit të mjekëve dhe teknologjisë, qindra fëmijë me probleme kardiake kanë kryer ndërhyrje të specializuara.
Prof. Asc. Altin Veshti, kardiokirurg, shprehet se një nga diagnozat më të shpeshta, ajo që në gjuhën e popullit quhet “vrimë në zemër”, trajtohet në QSUNT, me profesionalizëm dhe përkushtim nga ana e stafit mjekësor, duke i rikthyer foshnjat në një jetë normale.
“Ky bebe ka pasur atë që populli e quan “vrimë në zemër”, që në gjuhën teknike quhet defekt intraventrikular. Nuk është një diagnozë e veçantë, sepse kemi të bëjmë me qindra lloje defektesh intraventrikulare. Tashmë, që nga viti 2011, nuk ka më asnjë fëmijë që shkon jashtë për këtë diagnozë, sepse shërohen këtu. Është një ndërhyrje jetëshpëtuese që kryhet një herë në jetë. Janë 1300 fëmijë të operuar në qendrën tonë dhe janë kthyer në jetën normale”, tha Veshti.
Veshti nënvizoi se për herë të parë në Shqipëri dhe në QSUNT në këtë ndërhyrje kirurgjikale është përdorur një solucion kardioplegjik.
“Bebi shkoi shumë mirë, zemra e mori veten shpejt. Postoperativi nuk pati probleme dhe për pesë ditë bebi doli në shtëpi”, shtoi ai.
Komente










