Zbulimet e raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit se për fëmijët jetimë në shtëpinë “Zyber Hallulli” ofrohej më pak ushqim, kyçën brenda godinës drejtuesit e institucionit që refuzuan t’i përgjigjen medias dhe shmangën përballjen me gazetarët përpara portës së Shtëpisë së Fëmijës.

“Pavarësisht se dyert janë të hapura, ky institucion duket se ka vendosur sot të mos pres as dhuruesit vullnetar”.

Lytfi dhe Kristina Elmasllari  mëngjesin e kësaj të premteje kishin vendosur që disa rroba të përdorura t’i dhuronin për bashkëmoshatarët e fëmijëve të tyre, në shtëpinë “Zyber Hallulli”.

Me raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit janë njohur përmes mediave, dhe teksa largohen pa mundur të bëjnë dhurimin, nuk ngurojnë të shprehin indinjatën.

“Janë trembur nga ju që i kërkoni intervista. E dëgjuam lajmin mbrëmë, skandal i madh!”

“Patjetër që është shumë e dhimbshme. Përveç dashurisë së prindërve që iu mungon , duhet t’u plotësohen shumë gjëra të tjera që të kenë kompensim.”

Report Tv tentoi të lidhet nëpërmjet një interviste apo bisedë telefonike dhe me drejtuesen e këtij institucioni për të dhënë një sqarim, por nuk na u përgjigj thirrjes sonë. Përgjigjen e vonuar e dhanë me një reagim në rrjetet sociale përmes Shërbimit Social Shtetëror duke theksuar se fëmijëve nuk u është cenuar sasia, cilësia dhe kaloritë ditore ushqimore.

Sipas reagimit, kuota individuale përllogaritur me numrin e përgjithshëm të fëmijëve përcakton fondin limit për ushqimet dhe procedura e prokurimit realizohet nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara. Sipas Shërbimit Social Shtetëror, ushqimet blihen nga operatorët ekonomike me çmime të pandryshueshme, duke mos prekur sasinë ditore, ndërsa bëhen edhe kontrolle për kushtet e ruajtjes, skadencën apo certifikatën e cilësisë së ushqimeve. Sipas KLSH-së duke u nisur nga grup moshat 6-18 vjeç, kosto ditore për ushqimet te “Zyber Hallulli”, është rreth 200 lekë më pak për secilin fëmijë.