Shqipëria do të duhet të përshtatë instrumentet e saj fiskale dhe financiare me objektivat klimatike, sipas Planit Kombëtar të Përshtatjes, duke përfshirë rishikimin e taksave, subvencioneve dhe tarifave të shërbimeve publike.
Dokumenti e vendos mobilizimin e burimeve vendase si pjesë kryesore të strategjisë për të mbuluar hendekun financiar të planit.
“Forcimi i kontributeve vendase është thelbësor për shfrytëzimin e fondeve ndërkombëtare dhe sigurimin e qëndrueshmërisë”, thuhet në plan.
Sipas dokumentit, kjo mund të bëhet përmes “përshtatjes së instrumenteve financiarë me objektivat klimatikë”. Plani e specifikon se këto instrumente përfshijnë “tatimet, taksat dhe subvencionet”.
Masa nuk paraqitet si taksë e re konkrete, por si një drejtim politikash që mund të ndikojë mënyrën se si shteti mbledh të ardhura dhe shpërndan mbështetje publike.
Dokumenti kërkon gjithashtu “rishikimin dhe korrigjimin të tarifave të shërbimeve”. Ky rishikim, sipas planit, synon “të pasqyruar faktorët e jashtëm mjedisor” dhe “të krijuar një mjedis më me interes për investimet private në infrastrukturën e lidhur me përshtatjen”.
Në praktikë, kjo e lidh politikën klimatike me çmimet e shërbimeve publike, investimet private dhe mënyrën se si financohen projektet e adaptimit. Plani kërkon që Shqipëria të krijojë edhe “një instrument për shqyrtimin e buxhetimit të gjelbër”. Sipas dokumentit, çdo zë në buxhetin kombëtar do të klasifikohej “sipas rëndësisë së tij për shpenzimet e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike”. Ky proces do të ndahej në kategori “e lartë–mesatare–e ulët”.
Dokumenti parashikon edhe “prezantimit të një sistemi të Etiketimit të Buxhetit për Klimën”. Qëllimi i këtij sistemi është “të gjurmuar shpenzimet për përshtatje”.
Plani kërkon që edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit të përfshihet në monitorimin e këtyre shpenzimeve. Në dokument përmendet “përfshirjes nga Kontrolli i Shtetit e shpenzimeve të etiketuara si përshtatje në ciklin e tij vjetor të kontrollit”.
Qeveria synon gjithashtu “krijimit të një Fondi Kombëtar për Klimën”. Ky fond do të shërbente “për të bashkuar burimet publike”. Për bashkitë, plani parashikon “mobilizimit të buxheteve bashkiake” për të financuar ndërhyrje të vogla vendore për përshtatje. Dokumenti kërkon edhe “monitorimit dhe shfrytëzimit të sukseseve” për të demonstruar përdorimin efikas të fondeve. Kjo, sipas planit, “mund të ndihmojë në mobilizimin e më shumë fondeve”.
Për qeverinë, financimi vendas shihet si kusht për të tërhequr fonde ndërkombëtare. Plani thotë se mobilizimi efektiv i burimeve kërkon një strategji që kombinon “mobilizimin e burimeve vendase”, “qasjen e përmirësuar në financimin ndërkombëtar” dhe “angazhimin më të madh me sektorin privat”. Dokumenti përmend gjithashtu “zhvillimin e instrumenteve financiare novatore”. Këto masa nuk japin ende një faturë të drejtpërdrejtë për familjet apo bizneset.
Por ato tregojnë se zbatimi i planit klimatik nuk do të kufizohet te grantet dhe huatë ndërkombëtare. Ai do të kërkojë ndryshime në buxhetim, tarifa, subvencione dhe mënyrën se si shteti i jep përparësi investimeve publike. Në plan, kjo përmblidhet si nevojë për të rritur “kapacitetin përshtatës të vendit”./Monitor
Komente







