Fenomeni Blushi, tre romane
dhe arsyet e suksesit

Fenomeni Blushi, tre romane<br />dhe arsyet e suksesit
TIRANE - Në fokus të vështrimit tonë, kritik dhe studimor, jo rastësisht, janë vetëm tre romanet e botuara, në një hark relativisht të shkurtër kohor, prej shkrimtarit Ben Blushi. Ndalimi, posaçërisht dhe vetëm në këtë aspekt të shkrimeve letrare të tij, lidhet kryesisht me synimin për të prekur dhe shijuar udhën e bërë pikërisht në këtë tip të shkrimit letrar. Shkrimin e romanit, si tipologji zhanri, midis kaq e kaq llojesh letrare, duket se autori e parapëlqen më së shumti, e prandaj gjer më tash, edhe e ka lëvruar pa pika këputjeje.

Megjithatë, bazuar këtu, vetëm në harkun kohor, që përgjithësisht përkon me kohën e shkrimit të këtyre teksteve romanor, ku gjithsesi nuk është se mendohet që koha e gjatë apo e shkurtër, përbën ndonjë kriter estetik, për tu marrë në konsiderim. Porse, në këtë rast, nisur nga koha kur doli romani i parë, Të jetosh në ishull, një tekst që zgjoi debat të zjarrtë dhe të larmishëm, madje më shumë se të gjitha librat e botuar pas viteve ’90 në Shqipëri. E në atë debat, letrar dhe jashtëletrar, u përfshinë shumë lexues, akademikë, historianë, filozofë, sociologë, lexuesë dhe studiuesë letërsie, e të gjithë të vënë  në një garë të habitshme, kërkonin të pohonin diçka të përveçme.

Puna e romanit të parë, madje mbërriti deri aty sa u botua edhe një libër, ku u përmblodhën pjesa më e madhe e këtyre shkrimeve, titulluar në mënyrë të çuditshme, Pro dhe Kundër. Nuk ma do mendja se vlen ky lloji lexim, pra disa pro, e disa kundra, për një libër artistik, madje as për statistikë, sepse në të gjitha rastet e mundshme, vetëmsa paraqitet shija e leximit dhe nuk ka gjasa që ajo të marrë vlerë ne këtë situim. Ka shumëllojeshëmri leximesh dhe interpretimesh, por asnjëherë, nga letërsia e sidomos nga leximi, sidomos në kohët moderne, nuk ka gjasa dhe hapësirë, që të mëbrrish deri në përballëvënie e këtillë.

Madje, përpos të tjerash, kryesisht në mjediset mediatike, asokohe u bë një përpjekje e madhe për ta përfshirë romanin e parë të autorit në llojin e librave bestseller, pra në titujt më të shitshëm. Përpjekja e panevojshme dhe absurde, për të futur çdo libër që botohet, pavarësisht se është tejet e vështirë për ta matur vetë nivelin e shitshmërisë, por edhe duke harruar këtu rrafshet e leximit, veçanërisht për letërsinë serioze, e cila zakonisht matet nga niveli i lexueshmërisë dhe ndikimit mbi atmosferën letrare. Për ta përfshirë në atë tip, pra të librave më të shitur, një nëndarje, që përgjithësisht nuk ka të bëjë me vlerat estetike, ishte një rrekje e panevojshme dhe po kaq mjerane.

Midis të tjerash, kjo rrethanë rastësore, e bëri të pashmangshme nevojën për të kundruar më në thellësi të teksteve letrare, që tashmë tenton sendërtimin e një dukurie letrare, që i përket letërsisë postkomuniste. Nga një vështrim i shpejtë, formal dhe sipërfaqësor, i teksteve të shkruara si romane, së paku nisur dhe bazuar në këto tre libra të botuar gjer më tash, në shijen dhe njohjen time mbi letërsinë, këto tekste, në të gjitha shenjat dhe kuptimet, hyjnë në tipin e letërsisë serioze, që pamëdyshje estetiken e ka parësore.

Po kaq, duke qenë se Blushi kishte dhe vazhdon të ketë një emër dhe peshë në politikë dhe media, madje për një palë lexues, të natyrave dhe profesioneve të ndryshme, në pamje të parë u duk edhe si një truk dhe artisfic, i gjetur me mençuri, për të shfrytëzuar ato dy pista apo pedane, dhe prej andej për të kërcyer në letërsi. Hamendjet e ngritura asokohe, jo pa shkak, por edhe më vonë, pra edhe përballë dy teksteve të romaneve, përkatësisht Otello Arapi i Vlorës dhe Shqipëria, tashmë kanë rënë, sepse realiteti i teksteve të romaneve, e ka përmbysur hipotezën, e pohuar me jo pak krenari në media.

Ka më tepër gjasa, që vetë media, e shkruar dhe vizive, në kërkim të lajmit të bujshëm, edhe në vlerat shpirtërore, e ka ndërfutur këtë mënyrë edhe në qasjen ndaj letërsisë dhe artit. Mëtimi, tashmë i rrokshëm, për të ecur në një rruginë individuale, në atmosferën që rrok dhe përçon tek lexuesi, ka shumë gjasa unike, më së paku në dy hallka thelbësore të sendërtimit të romaneve:
Së pari: Në dekodimin e historisë së njerëzimit në përgjithësi dhe të asaj shqiptare në veçanti, në pikëpamje të botës romanore, në njëfarë mënyre e shtjelluar në të tre romanet e tij, zbulon përpara lexuesit se po merret me një botë që e parapëlqen sepse e njeh si përmasë. Prej kësaj rrethane, që lidhet ngushtësisht vetëmse me parapëlqimin autorial, ka mundësi që në kërkim të dekodimit të shumëçkaje, të mitikes dhe mitologjisë, të njeriut dhe shoqërisë, të etikes dhe estetikes, gjithnjë në kërkim të fjalës artistike, rruga e bërë, komunikimi me tre romane, relativisht të gjatë, është një rast jo aq i zakontë në letërsinë shqipe të pas diktaturës.

Së dyti: Në përvijimin e një tip narratologjie, të rrëfimtarit të gjithëdijes, që njëkohësisht është edhe qendra e universit të romaneve, të një bisede dialogues me veten dhe të tjerët, e po kaq bart filozofinë e këndshikimit të përveçëm, pra që e sheh historinë si një objekt për ta transformuar dhe ndryshuar, madje shpesh herë deri në nivele të frikshme, përmes gjuhës së letërsisë, që ka të bëjë me një marrëdhënie personale, si dhe me situata imagjinare.

Kopertina e romanit  të Ben Blushit, Të jetosh në një ishull
(Në foto: Kopertina e romanit të Ben Blushit, "Të jetosh në një ishull")
Kopertina e romanit të Ben Blushit, Otello arapi i Vlorës
(Në foto: Kopertina e romanit të Ben Blushit, "Otello arapi i Vlorës")
Kopertina e romanit të Ben Blushit, Shqipëria
(Në foto: Kopertina e romanit të Ben Blushit, "Shqipëria")

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 04.09.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024