Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar ditën e sotme një telefonatë me ministrin e Shtetit për Punët e Jashtme të Katarit, Soltan bin Saad Al-Muraikhi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha bën të ditur se gjatë bisedës dënoi me forcë sulmet iraniane ndaj Katarit, si një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare, si dhe e sovranitetit e integritetit territorial të tij.

Po ashtu Hoxha ka bërë të ditur se i ka shprehur mirënjohjen ndaj autoriteteve të Katarit për kujdesin dhe mbështetjen e treguar ndaj qytetarëve shqiptarë në Katar gjatë këtyre momenteve të vështira.

Postimi i Hoxhës në rrjetin social ‘X’.

Pata sot një bisedë shumë të frytshme me Ministrin e Shtetit për Punët e Jashtme të #Katarit, Sh.T. Soltan bin Saad Al-Muraikhi.

Dënova me forcë sulmet iraniane ndaj shtetit të Katarit, si një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare, si dhe e sovranitetit dhe integritetit territorial të tij.

Duke rikonfirmuar solidaritetin e palëkundur të Shqipërisë, shpreha gjithashtu vlerësimin për rolin udhëheqës të Katarit dhe për angazhimin e tij të vazhdueshëm për dialogun, ndërmjetësimin dhe stabilitetin rajonal.

Shqipëria vlerëson miqësinë e ngushtë me Katarin dhe mbetet e gatshme të mbështesë çdo nismë që synon ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Jemi njëkohësisht mirënjohës ndaj autoriteteve të Katarit për kujdesin dhe mbështetjen e treguar ndaj qytetarëve shqiptarë në Katar gjatë këtyre kohëve sfiduese.


Lajmi kryesor:

Lufta në Lindjen e Mesme, Hoxha telefonatë me ministrin izraelit: Solidaritet me popullin tuaj për sulmet nga Irani dhe Hezbollahu