Shqipëria ka shprehur solidaritet të plotë me Izraelin pas sulmeve të Iranit dhe Hezbollahut. Ky ishte mesazhi që ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, përcolli sot në një telefonatë me homologun izraelit Gideon Sa'ar.
Sipas një njoftimi për shtyp, gjatë bisedës, Ministri Hoxha vlerësoi “kurajon dhe qëndresën e popullit izraelit" dhe konfirmoi se Shqipëria pritet të marrë së shpejti një vendim për ta shpallur Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) organizatë terroriste. Këtë e kishte paralajmëruar dy javë më parë edhe kryeministri Edi Rama duke i bërë thirrje vendeve të Bashkimit Evropian të ndërmerrnin të njëjtin hap.
Në reagimin e tij Hpxha vlerësoi edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, duke theksuar se këtë vit shënohen 35 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
"Faleminderit, Ministër Gideon Sa'ar, për urimet dhe për bisedën tonë të frytshme. Në këto kohë të vështira dhe sfiduese, Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me popullin izraelit dhe të gjithë ata që janë prekur nga sulmet e kryera nga Irani dhe Hezbollahu. Shënjestrimi i civilëve është i papranueshëm, dhe ne vlerësojmë kurajon dhe qëndresën e popullit izraelit. Shqipëria mbështet përpjekjet ndërkombëtare vendimtare për të parandaluar përvetësimin nga regjimi iranian, të armëve bërthamore apo të çdo arme tjetër të shkatërrimit në masë që kërcënon paqen në rajon dhe më gjerë. Irani meriton një qeveri nga populli dhe për popullin. Shqipëria së shpejti do të marrë një vendim zyrtar për ta shpallur IRGC, ashtu siç është në të vërtetë: një organizatë terroriste. Unë e vlerësoj thellësisht miqësinë e kahershme dhe lidhjet e forta ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta dhe mbi një histori unike solidariteti midis popujve tanë. Këtë vit shënohet 35-vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona, një moment i rëndësishëm që pasqyron forcën dhe qëndrueshmërinë e kësaj miqësie. Pres me kënaqësi të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë" shkroi Hoxha në postimin e tij.
Qeveria ka intensifikuar komunikimin me vendet e prekura nga konflikti në Lindjen e Mesme, jo vetëm në vazhdën e sigurisë së qindra qytetarëve shqiptarë që jetojnë andej por edhe në vazhdën e kontekstit gjeopolitik në këto kohë trazirash.
Dy ditë më parë, gjatë një bisede me homologun e Kuvajtit, Sheikh Jarrah Jaber Al-Ahmad Al-Sabah,Hoxha konfirmoi se:
‘Shqipëria do të bashkësponsorizojë projekt-rezolutën e OKB-së në Këshillin e Sigurimit, të paraqitur nga shtetet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, e cila dënon sulmet e Iranit kundër Bahreinit, Kuëaitit, Omanit, Katarit, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jordanisë, si dhe bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të tyre.'
Me të njëjtën vendosmëri, kryeministri Edi Rama dënoi të martën sulmin me raketa balistike të regjimit Iranian kundër Turqisë, duke i konsideruar të rrezikshme përpjekjet e regjimit iranian për të projektuar tensione dhe paqëndrueshmëri me sulme të vazhdueshme kundër fqinjëve të saj.
“Veprime të tilla rrezikojnë të përshkallëzojnë më tej situatën dhe përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. Shqipëria përshëndet reagimin e shpejtë të NATO-s në mbrojtjen e territorit, hapësirës ajrore dhe qytetarëve të Aleancës. Shqipëria qëndron fort krah për krah me Turqinë dhe me të gjithë aleatët në ruajtjen e sigurisë dhe unitetit të Aleancës sonë”, shkruajti Rama në X.
Që në ditët e para të konfliktit, Kryeministri Rama komunikoi me ambasadorët e Republikës së Shqipërisë duke kërkuar angazhim të rrjetit diplomatik për garantimin e sigurisë së shqiptarëve në vendet e prekura.
Ofensiva ushtarake e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit nisi më 28 shkurt 2026. Sulmet e para vranë liderin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, ndërkohë që sulmet kanë prekur ehde objekte ushtarake, bërthamore dhe infrastrukturë të rëndësishme në Iran. Sipas raportimeve, nga sulmet kanë humbur jetën më shumë se 1,300 civilë.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me raketa në disa vende të Gjirit, çka ka rritur ndjeshëm tensionet në rajon dhe ka sjellë një rritje të çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar ditën e sotme një telefonatë me ministrin e Shtetit për Punët e Jashtme të Katarit, Soltan bin Saad Al-Muraikhi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha bën të ditur se gjatë bisedës dënoi me forcë sulmet iraniane ndaj Katarit, si një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare, si dhe e sovranitetit e integritetit territorial të tij.
Po ashtu Hoxha ka bërë të ditur se i ka shprehur mirënjohjen ndaj autoriteteve të Katarit për kujdesin dhe mbështetjen e treguar ndaj qytetarëve shqiptarë në Katar gjatë këtyre momenteve të vështira.
Postimi i Hoxhës në rrjetin social ‘X’.
Pata sot një bisedë shumë të frytshme me Ministrin e Shtetit për Punët e Jashtme të #Katarit, Sh.T. Soltan bin Saad Al-Muraikhi.
Dënova me forcë sulmet iraniane ndaj shtetit të Katarit, si një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare, si dhe e sovranitetit dhe integritetit territorial të tij.
Duke rikonfirmuar solidaritetin e palëkundur të Shqipërisë, shpreha gjithashtu vlerësimin për rolin udhëheqës të Katarit dhe për angazhimin e tij të vazhdueshëm për dialogun, ndërmjetësimin dhe stabilitetin rajonal.
Shqipëria vlerëson miqësinë e ngushtë me Katarin dhe mbetet e gatshme të mbështesë çdo nismë që synon ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
Jemi njëkohësisht mirënjohës ndaj autoriteteve të Katarit për kujdesin dhe mbështetjen e treguar ndaj qytetarëve shqiptarë në Katar gjatë këtyre kohëve sfiduese.
Komente










"Nxitimi" per tu "solidarizuar" me Izraelin,le shume per te dyshuar !? Dukshem politika qe drejton sot vendin,eshte nen influencen e Lobit Cifut !! Ndoshta nga te vetmet vende Europiane qe po shprehemi hapur (pa na detyruar kush) pro Izraelit ! Mbani parasysh edhe viziten e Rames ne Tel Aviv,ne nje kohe kur asnje lider europian nuk pret,nuk viziton dhe nuk takon kryeministrin "Nazist" Netanjahu ! U harruan mbi 30 mije femije te moshes 0 deri ne 15 vjec te vrare dhe masakruar ne Gaza !? Mendoni pak mbi 30 mije,vec mijera te gjymtuar apo vrare prinderit ! Nje episod ndodhur pak dite me pare .... ne nje zone prane Bejrutit trupat izraelite vrane 41 persona,nga te cilet 18 femije dhe plagosen mbi 40 te tjere ! Pse ? Ishin ne kerkim te eshtrave te nje piloti izraelit te vrare rreth 40 vite me para ! Si quhet kjo ? "Fashizem" i shekullit te XXI ! Diplomaci e "dhjere",qe nuk perfaqeson aspak (dua te besoj) ndjenjat e popullit shqiptar !! Rruga e Dibres
Përgjigju