Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, është shprehur se qeveria ka treguar se nuk është e aftë të menaxhojë financat publike dhe të çojë paratë e shqiptarëve në drejtimin e duhur.
Komentet Bozdo i bëri nga foltorja e Kuvendit, ku kritikoi mënyrën e menaxhimit të situatës së përmbytjeve të fundit në vend.
Bozdo shtoi se përmbytjet erdhën jo vetëm për shkak të reshjeve të dendura të shiut, por edhe për shkak të mos-pastrimit të kanaleve kulluese dhe mos-menaxhimit të duhur të shkarkimeve të ujërave nga HEC-et në vend.
“Në paraqitjen e aktit të 11 normativ, është e tepërt të flitet për disiplinë fiskale. Aktet normative në fakt janë e kundërta e disiplinës fiskale. Janë mundësitë e korrigjimit që Qeveria i bën vetvetes. Dhe këtë e ka bërë jo pak herë gjatë vitit të kaluar, duke treguar se nuk është e aftë fare të menaxhojë financat publike dhe aq më tepër t’i çojë paratë e shqiptarëve në drejtimet e duhura. Në aktin e fundit normativ nuk janë pak, por 54 milionë euro të kategorizuara si shpenzime qeveritare dhe 40 milionë euro të akorduara për Albkontrollin. Për të përballuar pagesën prej 120 milionë euro që qeveria shqiptare, Edi Rama personalisht i detyrohet Begetit. Para këto që duke parë emergjencat e fundit të vitit 2025 dhe ato të fillimit të vitit 2026, duhet të ishin programuar në mbështetje të fermerëve minimalisht, qytetarëve të gjithë Shqipërisë të përmbytur nga dy përmbytje shumë të mëdha, për t’i mbështetur ata sadopak.
Në përmbytje e parë, atë të nëntorit të vitit të kaluar, mijëra hektarë tokë bujqësore, sera, fusha të mbjella, u përmbytën jo nga fakti i rreshjeve, por nga fakti se pushteti vendor dhe ai qëndror nuk ishin kujdesur për kanalet kulluese. Janë me dhjetëra milionë euro të dhëna dhe investuara në këtë sistem, i cili në fund të ditës rezulton se ose nuk ekziston ose nuk është pastruar fare dhe paratë nuk dihet se ku kanë vajtur.
Në përmbytjen e dytë pati një intensitet më të madh të përmbytjeve. Kjo sepse edhe se administratorët e HEC-it të Banjës i hapën portat shkarkuese pa paralajmëruar dhe qytetarët nuk morën vesh asgjë, por brenda natës e panë veten të përmbytur. Të nisë një hetim për përgjegjësit. Fermerët janë lënë me sytë nga qielli. Ky fakt ka sjellë braktisjen e madhe të fshatit dhe rënien pikiatë të prodhimit bujqësor. Sot për shkak të këtyre politikave, Shqipëria po kthehet me shpejtësi në një vend importues të gjithçkaje. Ne nuk prodhojmë më, por jemi vetëm konsumues“, tha mes të tjerash Bozdo.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Kuvend/ Akti normativ për buxhetin 2025, Malaj: Çdo lekë i pashpenzuar nga institucionet do të kalojë në llogarinë e pensioneve! 4 pr.ligje hiqen nga rendi i ditës











