Festa e librit për fëmijë në Bolonja
Sa keq që Shqipëria mungon

Festa e librit për fëmijë në Bolonja<br />Sa keq që Shqipëria mungon
Kur hyn në Panairin Ndërkombëtar të Librit për Fëmijë në Bolonjë, gjendesh në mes të një vorbulleje të mrekullueshme. Ngjyra, buzëqeshje, përqafime, personazhe nga më të veçantët e mbi të gjitha: Libra!
Libra nga ato që mjafton t’u hedhësh një sy e kupton që në të vërtetë gjendesh përballë një vepre të mirëfilltë arti. Pjesa më e bukur e letërsisë ndërkombëtare prezantohet çdo vit në këtë panair tashmë në edicionin e 53. Zbulohen realitete artistike të panjohura, artistë që më pas do të bëhen të njohur për fëmijët e të apasionuarit e rritur të kësaj letërsie në të gjithë botën. Të rritur, sepse kohët e fundit libri i ilustruar nuk është më një mjet që përpiqet vetëm të afrojë e të edukojë fëmijët në botën magjike të letërsisë, por po afron rreth vetes edhe të apasionuar pas grafikës e artit të illustrimit.

Për 4 ditë me radhë qyteti i Bolonjës që ka një ndjeshmëri të veçantë ndaj artit e sidomos artit për fëmijë, u shndërrua në kryeqytetin e artit të ilustrimit e të letërsisë. Këtë vit lajtmotivi i Panairit ka qënë “Fuel the Imagination”, thënë ndryshe edhe ushqeje fantazinë sepse në këtë qytet, imagjinata është një realitet  dhe “nje komunitet shumëkulturor i gatshëm të përcjellë vlerat e të qënit të ndryshëm, por mbi të gjitha ato të barazisë në të qënurit të ndryshëm”, thonë organizuesit në hapjen e panairit.
Kjo është një ngjarje e rëndësishme e tregut të librit dhe një takim kulturor për të parë situatën artistike të ditëve të sotme si dhe për të parashikuar se si do të vijojë në të adhmen e afërt, si në botimet klasike ashtu edhe në atë dixhitale.

Jo vetëm në ambientet e Panairit ku kanë paraqitur librat e botimet e 1200 ekspozuesve nga më shumë se 70 vënde të botës, (Shqipëria për fat te keq, ka munguar edhe këtë vit), por në të gjithë qytetin, muaji prill ka sjellë një sërë me aktivitete, konferenca, ekspozita ilustruesish, takime me shkrimtarë e ilustrues nga e gjithë bota.  E ftuar Nderi për këtë vit ka qënë Gjermania e cila  është paraqitur me një ekspozitë me veprat origjinale të ilustruesve gjermanë të njohur në rang ndërkombëtar.

Si çdo vit gjatë Panairit është dhënë edhe çmimi Hans Christian Andersen, i quajtur ndryshe edhe “Nobeli” i letërsisë për fëmijë që këtë vit e ka fituar kinezi Cao Ëenxuan. Autori është prezantuar me librin “Luledielli”, i përkëthyer në shumë gjuhë të botëes e ka shitur miliona kopje. “Cao shkruan në mënyrë të mrekullueshme mbi kompleksitetin e jetës së fëmijëve që përballojnë sfida të mëdha”, ka qënë motivi jurisë për çmimin e dhënë. Autori i lindur më 1954 sot është profesor i Letërsisë në Universitëtin e Pekinit dhe shprehet i sigurtë se «fshehja e dhimbjes nuk do t’i ndihmojë fëmijët në rritjen e tyre». Për herë të Parë është dhënë këtë vit edhe çmimi “Strega” i Librit për Fëmijë që e kanë marrë dy autore italiane: Susanna Tamarro  per kategorinë 6-10 vjeç dhe Chiara Carminati për kategorinë 11-15 vjeç.

Atmosfera festive ndihet që në rrugët e mbushura me fotografi gjigante vizatimesh nga më të bukurat e do të vazhdojë edhe këto ditë me “Fundjavën e lexuesve të rinj”. Tanimë është një traditë e kesaj ngjarjeje kulturore kur mbas përfundimit të Panairit hapen dyert për vetë fëmijët me aktivitete të ndryshme.
 

Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri