TIRANE -  Politika shqiptare ka shprehur urimet për Festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve ortodoksë shqiptarë. Përmes një komunikate për shtyp, Presidenti Bujar Nishani ka uruar besimtarët ortodoksë shqiptarë kudo ku ndodhen, duke u shprehur që vlerat dhe virtytet e kësaj feste të ruhen dhe përcillen përgjatë të gjithë vitit.

Edhe Kreu i Kuvendit Ilir Meta, nga Katedralja Ortodokse ka uruar të gjithë shqiptarët ortodoksë, duke e cilësuar këtë si një ditë të shenjtë për të tashmen dhe për të ardhmen.
 
Nga ana e tij kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha uroj shqiptarët për Festën e Pashkëve. Në fjalën e tij Basha uroi që e nesërmja të jetë më e mirë se e tashmja. 

Ndërkohë zëvendëskryeministri Niko Peleshi nga Mitropolia e Korçës uroi besimtarët ortodoksë shqiptarë, për më shumë mbarësi dhe shëndet për të gjithë. Një tjetër urim për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë ka ardhur edhe nga Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet e cila ka shprehur urimin për më shumë mirësi në familjet shqiptare. 
 
Nishani uron Festën e Pashkëve besimtarëve ortodoksë shqiptarë
Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë Festën e Pashkëve kudo ku ndodhen. Duke uruar sa më shumë paqe e begati në familjet shqiptare, Presidenti Nishani tha se kjo është një ditë e shenjtë për të gjithë besimtarët ortodoksë e cila në vetvete përmban ripërtëritjen e besimit tek ringjallja e Krishtit.

Në urimin e tij Nishani kërkon që vlerat dhe virtytet që përcjell kjo festë të ruhen përgjatë gjithë vitit dhe të përçohen kudo për popullin shqiptar.

Më poshtë urimi i plotë i Presidentit Nishani:
Të nderuar besimtarë ortodoksë shqiptarë! Dëshiroj sinqerisht që me rastin e Ditës së ringjalljes së Krishtit t’ju shpreh dhe t’ju përcjell, në emër të Institucionit që përfaqësoj si dhe në emër të mbarë popullit shqiptar, urimet më të mira e të përzemërta për Festën e Pashkëve! Kjo ditë e shenjtë, e cila në vetvete përmban ripërtëritjen e besimit tek ringjallja e shenjtë e birit të vërtetë të Zotit sipas besimit tuaj të krishterë, tek ringjizja e vlerave dhe bindjes se sakrificat, vetëmohimi, virtytet dhe altruizmi në shërbim të njerëzimit na bëjnë më të mirë, na rikujton gjithashtu se shpresa në një të ardhme edhe më të mirë nuk vdes kurrë në shpirtin tonë. Përkundrazi, ajo ringjallet dhe ripërtërihet duke u rinovuar me forca të reja dhe me më tepër besim në anën e mirë dhe pozitive të natyrës njerëzore, në përpjekjen e përbashkët që shoqëria jonë, ajo shqiptare sidomos, do të bëhet edhe më e përsosur vetëm në saje të zbatimit të parimeve thelbësore fetare apo etike, mbi të cilat funksionon dhe ecën përpara mbarë njerëzimi. Drejtësia për të gjithë pa dallim, barazia mes nesh që nga më i pari e deri tek më i fundit, ndihmesa pa interes për më të pafatët dhe më të dobëtit përbëjnë thelbin e gjallesës sonë në këtë botë të mbushur gjithnjë e më shumë me sfida të vështira. Por Dita e Pashkëve na mbush njëkohësisht me një gjallëri të re, me një vetëbesim dhe ringjallje të vërtetë vlerash që na bëjnë të kuptojmë se nën këtë qiell të kaltër e të pastër shqiptar, e mbi këtë dhé të trojeve të lashta arbërore, çdo hall, problem, mosmarrëveshje apo pengesë mund të zgjidhet e të kapërcehet, nëse bashkojmë forcat dhe aftësitë duke menduar e punuar vetëm për të mirën e kombit tonë të bekuar. Gëzuar Festën e Pashkëve dhe ju sjelltë sa më tepër mirësi, paqe, dashuri për njëri-tjetrin, lumturi në gjirin e familjes si dhe për të dashurit tuaj kudo ku jeni!” – thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit Nishani.

Meta: Ditë e shenjtë për të ardhmen
Kreu i Kuvendit Ilir Meta, ka uruar të gjithë besimtarët shqiptarë ortodoksë për Festën e Pashkëve. Duke folur nga Katedralja Ortodokse, Kryeparlamentari Meta tha se kjo është një ditë e shenjtë si për të tashmen dhe për të ardhmen, një ditë që sipas Metës është e të gjithë shqiptarëve falë harmonisë fetare që nga karakterizon.

“Është kënaqësi e veçantë për të gjithë besimtarët ortodoks dhe të gjithë shqiptarët në këtë ditë të shenjtë të Pashkës, në këtë ditë e cila na sjell në mendje vlerat e besimit dhe të sakrificës dhe në veçanti të besimit tek sakrifica si rruga që na çon drejt dashurisë, faljes, mirësisë dhe të ardhmes. Dhe natyrisht që kjo ditë e shenjtë e Pashkës dhe ringjalljes së Jezusit është një mundësi e shkëlqyer për të besuar se e nesërmja do të jetë më e mirë dhe për të punuar të gjithë së bashku për këtë qëllim” tha Meta



Basha: Uroj që e nesërmja të jetë më e mirë
Kreu i Partisë Demokratike nga Katedralja Ortodokse, uroi të gjithë besimtarët shqiptarë ortodoksë, duke u shprehur në urimin e tij që e nesërmja të jetë me e mirë se e sotshmja.

“Të gjithë besmitarët ortodoksë, në Shqipëri ju uroj nga zemra Gëzuar Pashkët. Uroj që shpresa dhe besimi që rilindi për ta këto ditë të agojë në zemrat e çdo shqiptari. Uroj që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja. Uroj që Zoti t’u japë forcë në një të nesërme më të mirë.” tha Basha