Vetëm 12 kilometra nga qyteti i Lezhës, në kodrat e Pruellit, ndodhet kisha historike e Shën Llezhdrit.

Qindra besimtarë u mblodhën për të kremtuar Shën Llezhdrin, festën fetare kushtuar këtij shenjtori, të njohur në traditën katolike dhe si Shën Aleksandri.

Në kishën mbi 600-vjeçare, besimtarë nga Lezha, Shëngjini dhe zonat përreth morën pjesë në meshën e shenjtë dhe ritualet fetare. Kjo ditë u kthye në një moment lutjeje dhe bashkimi për komunitetin.

 "E kremtojmë çdo vit. Është një ceremoni e rëndëshishme”, shprehen besimtarët.

Famullitari i zonës, Dom Viktor Potaj, thekson se mesazhi i Shën Llezhdrit mbetet aktual edhe sot, në një kohë kur shoqëria ka më shumë nevojë për mirëkuptim.

“Sh’Llezhdri është një shënjt shumë i njohur. Për ne ky shenjt ka një veçanti dhe rëndësi të madhe për ne. Mendoj se është një burim frymëzimi për të gjithë njerëzit”, tha ai.

Kisha ishte ndërtuar në vitin 1402 dhe konsiderohet nga historianët si një nga më të vjetrat në Ballkan por fatkeqësisht u shkatërrua gjatë diktaturës. Mbi rrënojat e saj, banorët e Spitenit dhe Pruellit e rindërtuan kishën me kontributet e tyre në 2020. Sot, objekti i kultit shërben si vend lutjeje, pelegrinazhi dhe atraksion turistik.

Me rastin e festës u përurua edhe memoriali me figurën e Jezu Krishtit dhe emrat e personave të varrosur dikur në këtë zonë. Në oborrin e kishës ngrihet edhe kryqi 15 metra i lartë, i dukshëm deri në Adriatik.