TIRANE - 3.3 milionë drita përbëjnë dekorin shumëngjyrësh të kryeqytetit shqiptar, në prag të festave të fundvitit. Pema e madhe e vendosur në sheshin “Skënderbej” por edhe dekori i vendosur në rrugë të ndryshme të qytetit kanë sjellë një atmosferë festive në Tiranë.

Drejtoresha e Drejtorisë së Artit dhe Kulturës, në Bashkinë e Tiranës, Greta Deljani ka bërë të ditur se pemët e vitit të ri janë shpërndarë edhe në zona të tjera të Tiranës, në mënyrë që atmosfera të shtrihet në të gjithë qytetin.

“Festimet për këtë fundvit filluan me ndezjen e dritave të pemës, secila përmban 640 dekorime dhe gjithashtu ka 25 200 drita. Më tej, dekori ka vazhduar me bulevardet dhe rrugët kryesore të qytetit. Tirana ka të dekoruara shumë rrugë, që nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, tek “Zogu i Parë”, rruga e “Kavajës”, rruga e “Durrësit,” rruga e “Elbasanit”, rruga e “Dibrës”. Gjithashtu janë dekoruar 1500 shtylla. I gjithë qyteti, sot ka 3 milionë e 300 mijë drita, në të gjithë dekorimet që janë përdorur për të gjitha rrugët”, u shpreh Deljani.

Dekorit i janë bashkëngjitur dhe shumë aktivitete festive që do të zhvillohen përpara pemës, në sheshin “Skënderbej”, në rrugën “Murat Toptani” por edhe ambiente të tjera të kryeqytetit.

Bashkia njofton se “Aktivitetet për fëmijë janë përqendruar kryesisht përpara pemës, pasi është dhe ambienti më i preferuar për ta. Gjatë ditëve të pushimit do jetë Teatri i Kukullave, Cirku, animatorë, babagjyshët. Çdo pasdite, tek pema do të ketë animatorë edhe babagjyshë, të cilët do të bëjnë lojëra me të gjithë fëmijët që do i afrohen pemës apo do të bëjnë fotografi me ta. Më datë 24, në mbrëmje e deri ne orët e para të datës 25 do të ketë aktivitet tek Pedonalja, një festë për të rinjtë. Më tej, më datë 25, përpara pemës do të ketë aktivitete për fëmijë, ansambli dhe koncert me muzikë klasike, krishtlindjesh. Aktivitetet do të variojnë për të gjithë grupmoshat dhe për çdo shije”.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)