Ministrja Gjosha: Më shumë dashuri, përkujdesje e atmosferë familjarë për këta fëmijë
Festat e fundivitit, Ministrja Gjosha viziton shtëpinë e fëmijëve 0-6 vjeç
TIRANË, 29 Dhjetor /ATSH-Gjergji Mima/ -"Më shumë dashuri për të gjithë fëmijët e një vëmendje e veçantë sidomos për këta të vegjël që janë të braktisur, por që meritojnë të rriten të lumtur dhe me njerëz që i duan, të ndjejnë se kanë pranë një atmosfere familjare". Ky ishte mesazhi që ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, dha sot ne shtëpinë e fëmijës 0-6 vjeç në Tiranë, ku zhvilloi një vizitë me rastin e festave të fundvitit.
Ministrja Gjosha, pasi uroi fëmijët dhe pa nga afër ambientet, theksoi se është detyrë e institucioneve qeveritare t'u ofrojnë këtyre fëmijëve kushte sa me te mira.
Ministrja Gjosha theksoi se është e drejtë e këtyre të vegjëlve të rriten të lumtur dhe pa u munguar asgjë. Ministrja, nga ana tjetër u bëri thirrje të gjithë atyre familjeve që kanë mundësi të birësojnë fëmijë, t'u japin shansin e një jete më të mirë,përkujdesjen e dashurinë për të cilën ata kanë nevojë.
Vizita e Ministres Gjosha përkoi edhe me ditëlindjen e parë të njërit prej fëmijëve të këtij institucioni. Në këtë atmosferë festive, së bashku me stafin e shtëpisë së fëmijës 0-6 vjeç, ministrja Gjosha këndoi këngën e ditëlindjes, duke uruar një vit sa më të mbarë të gjithë fëmijëve.
Drejtoresha e shtëpisë së fëmijës 0-6 vjeç, Eva Pojani, sqaroi se aktualisht në këtë institucion janë 32 fëmijë. Pjesa më e madhe e të cilëve pa mbushur 1 vjeç.
Ministrja Gjosha, për të gjithë të vegjlit e këtij institucioni kishte menduar edhe nga një dhuratë, të cilat u kujdes t'ua linte poshtë pemës së Vitit të Ri. /a.ke/










