Tirana ka hyrë zyrtarisht në atmosferën magjike të festave. Sheshi “Skënderbej” u mbush mbrëmjen e këtij 6 dhjetori me mijëra qytetarë që ndoqën ndezjen dritave të pemës gjigante të fundvitit, një moment që u shoqërua nga kori i shkollave të kryeqytetit, artistë të vegjël dhe grupe baleti që performuan nga klasikët e Krishtlindjeve deri te këngët më të dashura të sezonit.
Në këtë natë festive, protagonistët ishin fëmijët, zërat dhe emocionet e të cilëve e kthyen sheshin në një festë të madhe. Qindra familje dhe të rinj u bashkuan për të shijuar dekorimet, dritat dhe atmosferën e ngrohtë.
Dritat e pemës u ndezën mes duartrokitjeve, pas numërimit mbrapsht të fëmijëve si dhe kryetares së komanduar të bashkisë së Tiranës, Anuela Ristanit.
“Përpara se t’i ndezim dritat të lëmë disa detyra. Kush është sjellë mirë këtë vit? Kush ka bërë gabime? Kush nuk ka bërë asnjë gabim? Edhe ata që s’kanë bërë gabime, ka disa gjëra që mund t’i bëjmë pak më mirë”, u shpreh Anuela Ristani.
E njëjta atmosferë festash u ndje edhe në shumë qytete të vendit. Në Shkodër, Korçë, Elbasan, Durrës, Shijak e Fier, qendrat e qyteteve u mbushën me muzikë, këngë festive dhe performanca të fëmijëve, të cilat u ndoqën nga qindra vizitorë.
Me ndezjen e dritave, qytetet hyjnë zyrtarisht në sezonin e festave, duke sjellë gëzim, ngjyra dhe pritshmëri për një fundvit më të ngrohtë dhe më solidar për të gjithë.
Në kuadër të festave të fundvitit, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka shtuar masat e sigurisë. Forcat ‘Shqiponja’ dhe ato të rendit kanë intensifikuar kontrollet në qytet dhe rrethinat e tij, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
Tirana zyrtarisht ka hyrë në periudhën më të bukur të vitit. Kthyer tashmë në traditë, sheshi ‘Skënderbej’ është ndriçuar nga qindra drita të bredhit të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Ceremonia nisi me këngë festive dhe vijoi më pas me ndezjen e dritave nën praninë e qindra fëmijëve dhe qytetarëve të cilët shijuan spektaklin e ndezjes së dritave.
Pas kësaj ceremonie kryeministri Edi Rama ka shpërndarë disa pamje me dron nga kjo ngjarje festive ku ndër të tjera shkruan ‘Dhjetori i festave’.
Në sheshin qendror të qytetit, aty ku është vendosur dhe pema e vitit të ri qindra vogëlushë dhe qytetarë morën pjesë në ceremoninë e ndezjes së dritave.
Bashkë me vogëlushët e veshur për festa ka qenë dhe kryetarja e bashkisë, Eriselda Sefa e cila ka numëruar bashkë me fëmijët për ndezjen e dritave.
Atmosfera e ndezjes së dritave u shoqërua edhe me një koncert të organizuar nga qendra kulturore e fëmijëve.
Atmosfera e festave të fundvitit ka trokitur edhe në Lezhë. I gjithë qyteti është veshur me dekorin festiv, ndërsa ndezja e dritave u bë përmes një ceremonie të veçantë në lulishten para memorialit të “Gjergj Kastriotit”.
Nën ritmet e bandës frymore të qytetit fëmijë të shumtë parakaluan drejt qendres së festës, ndërsa për të pranishmit ishte organizuar edhe një aktivitet artistik me këngë dhe valle.Pjesë e festës u bënë qindra qytetar te cilët iu gëzuan atmosferes së krijuar.
Në këtë natë festive, kryebashkiaku Pjerin Ndreu ndërsa uroi të gjithë qytetarët tha se ky qytet vazhdon të rritet e të ndryshojë.
Atmosfera magjike me zbukurime dhe drita shumëngjyrëshe të shoqëron në të gjithë qytetin, ndërsa qendra e festimeve do të jetë zona pranë memorialit të Skëndërbeut ku gjatë gjithë muajit dhjetor janë planifikuar të organizohen një sërë aktivitetesh.
Në këtë 6 dhjetor, siç tradita e do, janë ndezur dritat e festave dhe pemët e Krishtlindjes ndriçojnë në të gjitha qytetet e Shqipërisë.
Një atmosferë festive që përfshinë të vegjël e të rritur, e shoqëruar me drita, muzikë e lojëra.
E ndërsa të gjitha qytete e vendit kanë organizuar një ndezje të dritave mjaft të bukur, këtë vit duhet ta pranojmë se qyteti që ka sjellë të realizuar idenë më bukur të festave… është Shkodra.
Pamjet i ka ndarë edhe kreu i qeverisë, Edi Rama, ku shihet se këtë vit kjo bashki ka dhënë një spektakël të vërtetë për qytetarët e saj që ishin mbledhur para bashkisë për të festuar dhe gëzuar me të vegjlit e tyre.
Mbrëmjen e sotme, qyteti i Korçës ka ndezur në mënyrë simbolike dekorimet festive, duke shënuar nisjen zyrtare të sezonit të fundvitit.
Sheshi i qytetit u mbush me qytetarë dhe vizitorë, ndërsa numërimi mbrapsht dhe ndezja e dritave krijuan atmosferën e parë të festimeve që do ta shoqërojnë Korçën gjatë gjithë muajit dhjetor.
Në fjalën e tij Sotiraq Filo, kreu i bashkisë, theksoi se Korça është tashmë 100% e rezervuar për të gjitha ditët e festave, ndërsa për periudhën deri në natën e ndërrimit të viteve është përgatitur një kalendar i pasur aktivitetesh dhe një ofertë konkurruese turistike.
Mbrëmja e ndezjes së dritave u shoqërua me një koncert festiv, ku atmosfera festive dhe pjesëmarrja e lartë e qytetarëve dhanë sinjalin se Korça edhe këtë vit mbetet një nga destinacionet më të kërkuara për fundvitin.
Qytetarët dhe vizitorët shprehen se atmosfera e sotme ishte tepër e veçantë, ndërsa numri i lartë i njerëzve në shesh tregoi edhe një herë se Korça është shndërruar në një kryeqendër të turizmit të fundvitit në vend.
Institucioni i Presidentit të Republikës ndezi sot në mbrëmje dritat e pemës së Krishtlindjeve.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dhe Zonja e Parë, Armanda Begaj, pritën këtë mbrëmje fëmijët në një ceremoni të veçantë, traditë e institucionit në vigjilje të festave të fundvitit.
Mes tingujve festivë dhe interpretimit të valleve nga Ansambli i Fëmijëve të Durrësit, fëmijët morën dhurata dhe shkëmbyen urime për një vit edhe më të mirë.
“Tashmë kaloi dhe një vit dhe ju jeni me më shumë dije, me më shumë arritje. Për dashurinë e pafundme dhe krenarinë që na dhuroni, ne, të rriturit, prindërit tuaj, duhet të punojmë më shumë për një botë ku e ardhmja juaj të jetë më e sigurt dhe me më shumë mundësi për ju.” - u shpreh Zonja Begaj në përshëndetjen e saj.
Edhe qyteti i Elbasanit ka ndezur dritat e festave të fundvitit këtë të shtunë, teksa qindra qytetarë ndoqën ceremoninë e organizuar nga bashkia.
Ndezja e dritave u shoqërua edhe me një koncert nga fëmijët, të organizuar nga qendra kulturore e qytetit.
Atmosfera festive ka pushtuar sheshin qendror të Fierit, ku mbrëmjen e sotme u ndezën dritat e pemës së Krishtlindjeve në një ceremoni mjaft të ngrohtë.
Në qendër të festës ishin fëmijët e shkollave të qytetit, të cilët përmes buzëqeshjeve dhe entuziazmit të tyre i dhanë qytetit një atmosferë magjike, veçanërisht në momentin kur në shesh, iu bashkua mbrëmjes festive vogëlushja fierake, Nikita.
Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, mbajti fjalën hapëse të ceremonisë, duke uruar festat e fundvitit për të gjithë.
Dritat shumëngjyrëshe të pemës së Krishtlindjeve u ndezën nën një numërim të përbashkët, moment që shënoi fillimin zyrtar të festimeve të fundvitit në Fier.
Kjo ndezje simbolike e pemës së Krishtlindjeve e shoqëruar me një spektakël fishekzjarresh, shërben si një moment reflektimi dhe falënderimi, por edhe si një premtim për një vit të ri plot mbarësi.
Durrësi u shndërrua këtë të shtunë në një panoramë drite dhe hareje, teksa qyteti ndezi dritat festive që do të ndriçojnë çdo cep gjatë ditëve të ardhshme.
Në një ceremoni emocionuese të mbajtur në sheshin kryesor të qytetit, qindra qytetarë mes tyre edhe fëmijë u mblodhën për të ndarë së bashku momentin magjik të fillimit të festimeve.
Edhe në Shijak ndezja e dritave për festat e fundvitit u shoqërua me muzikë festive dhe këngët e fëmijëve që krijuan një atmosferë të ngrohtë.
Komente









