Qeveria ka ndryshuar listën me projektet prioritare për periudhën 3-vjeçare 2026-2028. Ky dokument i qeverisë i miratuar në fillim të këtij viti me 134 projekte madhore, ka ndryshuar dhe ka të listura 120 investime në të gjitha fushat e ekonomisë, nga të cilat 48 projekte janë maturuar dhe ka nisur zbatimi, 36 projekte janë në proces dhe 36 të tjera janë projekte të pamaturuara, pra janë ende një ide por e pazhvilluar më tej.
Për herë të parë është futur në listën e prioriteteve edhe Rehabilitimi i Linjës hekurudhore Rrogozhinë –Vlorë dhe lidhja e re me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Vlera e këtij projekti që konsiderohet i pa-maturuar përllogaritet në 220 milionë euro.
Në dhjetor vjet u hap tenderi për studimin dhe hartimin e projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore Rrogozhinë – Vlorë, si dhe lidhjen me aeroportin e Vlorës. Janë 84 kilometra linjë ekzistuese Rrogozhinë-Vlorë që do ti nënshtrohen rehabilitimit për shkak të dëmtimit të madh të infrastrukturës. Edhe në këtë hekurudhë planifikohet të jetë elektrike, shpejtësia do të arrijë deri në 120 km/orë.
Ndër projektet kryesore që janë në zbatim (maturuar) janë porti i Durrësit 390 mln euro, ndërtimi i Korridorit VIII 360 mln euro apo zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës 298.8 milionë euro.
Ndërsa projektet më të kushtueshme hekurudhore që konsiderohen të matururara janë rehabilitimi i hekurudhës Vorë-Hani i Hotit 313.1 milionë euro, Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë 122.9 milionë euro si dhe linja Tiranë Durrës dhe elektrifikimi i tyre.
Kurse aeroporti i Jugut, hekurudha Durrës-Prishtinë, HEC i Skavicës apo Baza autonome detare Porto-Romano, janë pjesërisht të maturuara.
Po ashtu ka ndryshuar statusi i projektit të vënies në punë të Termocentralit të Vlorës nga pjesërisht i maturuar ka kaluar në status i pamaturuar. Kostoja për ta vënë në punë këtë TEC mbetet e pandryshuar prej 250 milionë euro.
Gjithashtu është hequr nga lista e prioriteteve “Ndërtimi i urës ndërshtetërore mbi Lumin Buna/Bojana”, me kosto të planifikuar 14 milionë euro në programin e 12 shkurtit 2025.
Ndërsa në listën e re të politikave prioritare ky projekt është hequr, bashkë me 13 projekte të tjera si ndërtimi i godinës së re të Gjykatës së Lartë, i godinës për Gjykatën e Apelit Tiranë apo projekti për rrjetin e Transmetimit të Gazit në qarkun e Fierit dhe Ballshit.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente













Ne fakt prioritet eshte lidhja Shkoder - Austri - Gjermani ko vende te Botes se trete si jugu shqiperise dhe greqi - afrike - Egjipt
Përgjigju