TIRANË, 29 Dhjetor /ATSH/- Qytetarët kanë rritur konsumin dhe fluksin e blerjeve në prag të festës së fundvitit, ndërsa burime zyrtare nga ministria e Bujqësisë bëjnë me dije se çmimet në treg ruajnë qëndrueshmëri dhe stabilitet. Sipas ekspertëve, rritja e konsumit e lidhur me periudhën e festave dhe fluksin e emigrantëve është një fakt i rëndësishëm për ecurinë ekonomike të vendit. Ndërsa na ndajnë edhe dy ditë nga nata e ndërrimit të viteve, shitjet dhe blerjet më të mëdha janë kryesisht në tregjet tregtare ushqimore por dhe qendrat tregtare industriale. Në sheshin "Avni Rustemi" në kryeqytet, duket një interes i lartë nga qytetarët për gjelat dhe pulat e detit, si dhe për frutat e perimet. Ndërsa vetë tregtarët shprehen se nuk kanë interes të rrisin çmimet pasi duan të kenë sa më shumë klientë e shitje. Për të mbrojtur konsumatorët nga abuzimet me çmimet, ministria e Bujqësisë ka ngritur grupe inspektimi dhe vetë ministri i Bujqësisë ka zhvilluar një takim me tregtarët e mëdhenj ku i ka kërkuar të mos rrisin çmimet./e.xh//m.m/