Mbrëmjen e djeshme, salla e koncerteve 'Black Box' në ambientet e liceut artistik Durrës, u mbush me një atmosferë të veçantë, teksa u zhvillua koncerti festiv “Shqipëria në zemër, muzika në shpirt”, një ngjarje e konceptuar për t’i dhënë një qasje artistike festave të nëntorit.

Të pranishmit përjetuan një program të kuruar me kujdes, ku në qendër ishte talenti i nxënësve dhe përkushtimi profesional i mësuesve të shkollës së muzikës “Jan Kukuzeli”. Mbrëmja nisi me hyrjen e orkestrës, e cila solli tingujt e parë me “Himnin Kombëtar” nën dirigjimin e Orges Memës.

Pas saj, kori i shkollës i shtoi skenës një atmosferë festive, duke sjellë harmoninë vokale të një ansambli që punon me seriozitet dhe pasion. Momente të veçanta sollën edhe solistët, të cilët interpretuan me vetëbesim e maturi, duke treguar jo vetëm talent, por edhe formim të qëndrueshëm artistik.

E gjithë struktura e koncertit reflektoi punën e gjatë dhe vizionin pedagogjik të institucionit, të udhëhequr nga drejtoresha Adriana Gjepali, e cila ka ditur të ndërtojë një ekip mësuesish të përkushtuar dhe një ambient ku muzika kultivohet me dashuri.

Mbrëmja e djeshme nuk ishte thjesht një aktivitet festiv. Ajo u kthye në një përjetim kulturor, ku publiku u lidh me emocionet e krijuara nga të rinjtë, të cilët përmes artit sollën një homazh të pastër për vendin dhe traditat tona.