TIRANË - Ambasada amerikane në Tiranë, ka lajmëruar qytetarët e saj që ndodhen në Shqipëri, që të tregohen të kujdesshëm gjatë periudhës së festave të fundvitit, pasi gjatë kësaj periudhe, ka një tendencë të rritjes të krimit.
 
Nëpërmjet këtij mesazhi, të vendosur në portalin e Ambasadës Amerikane në Tiranë, Ambasada u kujton qytetarëve të saj se gjatë kësaj periudhe të vitit, grabitjet dhe vjedhjet kanë një rritje në shumë vende të botës. Gjithashtu në këtë mesazh u thuhet shtetasve amerikanë, që nëse do të jetë e mundur të shmangin mbajtjen e sasive të mëdha të parave me vete dhe të mos lënë në makinat e tyre, dhurata apo sende të tjera të pashoqëruara.
 
Gjithashtu, në mesazh theksohet edhe fakti që shtetasit amerikanë duhet të tregojnë një kujdes të veçantë nga fishekzjarret që përdoren gjatë festave dhe gjithashtu edhe nga plumbat qorr.
 
Përsa i përket rregullave të qarkullimit rrugor, në këtë mesazh thuhet se gjatë pushimeve, numri i aksidenteve automobilistike është në rritje, si pasojë e drejtuesve të mjeteve që mund të jenë të alkolizuar, gjithashtu u bëhet thirrje shtetasve amerikanë të respektojnë rregullat e qarkullimit, në Tiranë dhe jashtë saj.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)