LEZHE- Viti 2014 ka filluar i qetë në qytetin e Lezhës. Asnjë i lënduar nga fishekzjarret, armët e zjarrit apo aksidentet. Ndihmën mjekësore e kanë kërkuar vetëm qytetarë të intoksikuar nga përdorimi i tepërt i alkoolit, por numri i tyre mbetet më i ulët se festimet e një viti më parë.

Nga ana tjetër, gjatë 3 ditëve të para të këtij viti nuk është shënuar asnjë aksident. Ka patur vetëm penalitete për drejtues automjetesh që kanë konsumuar pije alkoolike. Shefi i Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Lezhë, Valentin Florini, ka bërë të ditur se atmosfera festive ka kaluar qetësisht përsa i përket qarkullimit rrugor.
 
Ky është viti i parë që qarku i Lezhës feston ndërrimin e viteve pa incidente për t’u shënuar. Megjithatë, spitalet, Policia e Rendit dhe ajo Rrugore, vijojnë të jenë në gadishmëri.
 
FESTIME TË QETA EDHE NË LUSHNJË, FLUKS NË PEDIATRI
Ndryshe nga qyteti i Lezhës, në Lushnjë pavioni i Pediatrisë ka qenë i mbipopulluar gjatë këtyre ditëve si pasojë e virozave të stinës. Mjekët thonë se gjatë këtyre ditëve është shënuar një fluks fëmijësh të moshave deri në 6 vjeç.
 
Ndërkohë, nata e ndërrimit të viteve dhe ditët në vijim kanë qenë të qeta, dhe në pavionin e Urgjencës në spitalin “Ihsan Çabej” në Lushnjë janë paraqitur vetëm persona të intoksikuar.
 
Sa i përket lindjeve të reja, fëmija i parë në Lushnjë ka lindur në orën 06:00 të 1 janarit dhe është një vajzë, me peshë 2.2 kg e cila gëzon shëndet të plotë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)