Tirana do ta presë ndërrimin e viteve në Sheshin Skënderbej me një atmosferë të zjarrtë falë programit të larmishëm festiv të Bashkisë së Tiranës. ku gjatë gjithë mbrëmjes së 31 dhjetorit do të zhvillohen koncerte dhe spektakle me dronë dhe fishekzjarre 

Në një intervistë për Report TV, Iva Beharaj, Drejtoreshë e Rinisë në Bashkinë e Tiranës, bëri të ditur se aktivitetet festive do të kulmojnë sonte, nga ora 22:00 deri në orët e para të mëngjesit.

Bashkia e Tiranës edhe këtë vit është organizuar për të sjellë një mbrëmje festive për qytetarët. Sonte, nga ora 10 e darkës, në Sheshin Skënderbej do të ngjiten në skenë artistë si Valbona Mema, Ardit Cuni, Fifi dhe Bleona Qerreti, me të cilën do të presim ndërrimin e viteve. Më pas koncerti do të vijojë me Alban Skënderaj dhe DJ, deri rreth orës 02:00 të mëngjesit”, u shpreh Beharaj.

Sipas saj, një nga risitë e këtij viti do të jetë spektakli me dronë, që do të zhvillohet në orën 23:30, pak para mesnatës.

“Për herë të parë në Sheshin Skënderbej do të kemi një spektakël me qindra dronë, të cilët do të ngrihen nga tarraca e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe do të formojnë figura dhe motive festive”, tha Beharaj.

Në orën 00:00, në skenë pritet të ngjitet kryetarja në detyrë e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, së bashku me ekselentët e qytetit, për urimet e Vitit të Ri. Menjëherë pas mesnatës, do të zhvillohet edhe  spektakli i fishekzjarrëve, i cili sipas Bashkisë do të  jetë i magjishëm dhe do të zgjasë më shumë se vitet e kaluara.

"Këtë vit kemi rritur numrin e fishekzjarrëve për të ofruar një spektakël ndryshe, duke synuar të përmbushim pritshmëritë e qytetarëve”, tha ajo.

Beharaj theksoi se, pavarësisht temperaturave të ulëta, pritet një pjesëmarrje e lartë e qytetarëve në shesh dhe siguroi se janë marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë gjatë aktivitetit festiv