Festa e Krishtlindjeve është festuar edhe në vende të ndryshme të botës, duke përcjellë mesazhin për paqe, dashuri dhe solidaritet.

KRISHTLINDJE NË BETLEHEM
Qindra persona kanë qenë të pranishëm në Betlehem të mërkurën e 25 dhjetorit, ku janë bërë edhe lutjet për Krishtlindje, në qytetin që mbahet si vendlindja e Krishtit.
 
Lutjet e kësaj meshe, u mbajtën nga Patriarku latin i Jeruzalemit, Imzot Fouad Twal.
Sipas ministrit të Turizmit palestinez, pritet që të vizitojnë Betlehemin për Krishtlindje, 50.000 vizitorë vendas dhe të huaj.
 
Gjatë revoltave të palestinezëve, kundër Izraelit, shumë turistë kanë evituar qytetin.
Por tashmë dhuna është përgjysmuar gjatë viteve të fundit dhe pritet që pothuajse dy milionë banorë vizitojnë tashmë çdo vit Betlehemin.
 
 
KRISHTLINDJE NË FILIPINE PAS TAJFUNIT
Pothuajse 4 milionë të pastrehë nga Tajfuni Haiyan që goditi Filipinet, pritën Krishtlindjen në tenda, apo në strehime të përkohëshme.
 
Në Tacloban, që ishte edhe epiqendra e këtij tajfuni, Krishtlindja erdhi në një kohë të lagësht dhe me shi. Disa nga banorët, shkuan në një vendgrumbullimi të mbeturinave të një dyqani, për të gjetur ndonjë objekt, për ta ricikluar, apo për të bërë dhurata për festat
Disa prej tyre, kanë arritur të rekuperojnë disa produkte për shtëpi, lodra, apo dekorime të ndryshme.
 
Për të festuar Krishtlindjen, banorët u mblodhën në Kishën e qytetit, ku imzot Giuseppe Pinto celebroi Krishtlindjen, duke u shpërndarë edhe dhurata të pranishmëve.
Disa ndërmarrje private, kanë dhënë ndihma për të mbijetuarit nga Tajfuni Haiyan dhe gjithashtu ndihma të tjera lokale dhe ndërkombëtare vazhdojnë të vijnë për të gjithë njerëzit.
 
Typhoon Haiyan, që goditi Filipinet, më 8 nëntor të këtij viti, ishte një nga Tajfunët më të fortë i verifikuar ndonjëherë. Ky Tajfun, shkatërroi pothuajse gjithçka, ku humbën jetën më shumë se 6.000 persona dhe 1.800 prej tyre janë të humbur.
 
Por edhe pas kësaj tragjedie, të mbijetuarit, janë optimist për faktin se qyteti i tyre do të rindërtohet.
 
KRISHTLINDJE NË AUSTRALI
Festa e Krishtlinjdes në Sidney të Australisë, është festuar në plazh. Shumë njerëz kanë sfiduar kushtet e motit ditën e Krishtlindjes, ku kanë festuar në Bondi Beach.
 
Personat që kujdesen për plazhistët, ndihmuan në dekorimin e pemës së Krishtlindjes dhe gjithashtu mbikqyrën edhe serfistët e pasionuar pas këtij sporti.
 
Edhe pse me një kohë me shi dhe me temperatura të ulëta, turistët arritën të shijonin detin, rërën edhe në mungesë të diellit.
 
Një person i veshur si Babagjyshi i Krishtlindjes, kishte me vete një thes me ëmbëlsira të cilat ua shpërndau njerëzve që ndodheshin aty.
 
Në një spital pediatrik në Westmead, një tjetër person i veshur si babagjyshi i Krishtlindjes, u dhuroi fëmijëve të sëmurë, dhurata, duke lumturuar fytyrat e tyre, në këtë ditë feste të Krishtlindjes.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)