Festivali / BujarAlimani “çon”
tragjedinë e “Krom”-it në Çeki

Festivali / BujarAlimani “çon”<br />tragjedinë e “Krom”-it në Çeki
Miniera e kromit në Bulqizë ka rrezikuar jetën e dhjetëra minatorëve vitet e fundit, duke u kthyer në një tragjedi për familjet që kanë humbur kryefamiljarët apo bijtë e tyre 20-vjeçarë. Duke sfiduar indiferencën shtetërore dhe të pronarëve të minierës, e ndonjëherë mungesën e guximit qytetar, artisti Bujar Alimani ka shkuar në vendngjarje poshtë maleve të Kalimashit për ta trajtuar këtë temë në filmin e tij të ri.

Kështu, këtë verë do të shfaqet në edicionin e 50-të të Festivalit të madh të Filmit në Karlovy Vary të Çekisë premiera e filmit shqiptar “Krom”, me skenar dhe regji të Bujar Alimanit. Filmi “Krom” është bashkëprodhim mes Kosovës, Shqipërisë, Gjermanisë dhe Greqisë, me producentët Tefta Bejko, Valon Jakupaj, Anita Elsani, Thanos Anastopoulos dhe Stella Theodorakis,  i financuar nga “Eurimages”, fondi për kinematografinë i Këshillit të Europës. “Krom” është filmi i dytë i metrazhit të gjatë nga regjisori Alimani, i cili njihet për filmin e tij  “Amnistia” që pati premierën në festivalin Berlinale në 2011, film i nderuar me disa çmime ndërkombëtare si: C.I.C.A.E. në Berlin International Film Festival, 2011, Çmimin e Publikut  në Black Movie Film Festival 2012, Çmimi i Jurisë në Lume International Film Festival, 2012. Regjisori i mirënjohur Bujar Alimani, i vlerësuar me çmime në disa festivale ndërkombëtare në filmin “Krom” denoncon krimin e biznesit të kromit përmes një personazhi të spikatur.

 Ky film, që është pjesë e programit “East of the West” rrëfen jetën e një nëne memece, e cila pas dy humbjeve të jetës së bashkëshortëve në minierë, i duhet të vazhdojë të rrisë fëmijët e të jetojë edhe ajo vetë jetën e prerë përgjysmë. Djali i saj pesëmbëdhjetëvjeçar përpiqet të njohë veten duke kaluar një adoleshencë të vështirë mes shkollës dhe minierës së kromit. Në reagimin e tij regjisori Bujar Alimani, i cili është vlerësuar në disa festivale të filmit në botë, do të ketë pjesëmarrjen e radhës në një festival prestigjioz, duke guxuar të tratojë një problem të mprehtë të shoqërisë shqiptare që kërkon më së shumti edhe guximin qytetar. I njohur për pjesëmarrjen në dhjetëra aktivitetet që lidhen me kinematografinë, këtë Bujar Alimani prezanton në një tjetër festival të kategorisë A një histori tragjike shqiptare.

“Filmi “Krom” shkon në festivalin e filmit në Karlovy Vary të Çekisë me mesazhe humane të bashkëkzistencës, si një alternativë e vetme”, shprehet regjisori. Në filmin “Krom” interpretojnë aktorë nga Shqipëria dhe Kosova, ku nuk mungojnë këtë herë edhe emra aktorësh të rinj si Fredjon Ruçi, Klodjana Keco, Mirela Naska, Kasëm Hoxha, Denis Shira, Xhevdet Doda, Albulena Kryeziu, etj. Festivali i filmit “Karlovy Vary” do të zhvillohet nga data 3 deri më 11 korrik 2015, ndërsa premiera e filmit shqiptar do të jetë në datën 8 korrik 2015. Filmi ka një pikëvështrimi human në fokusin e përjetimit të ndjenjave të grave, ku vërehet sesa e fortë është influenca e dy natyrave femërore mbi një adoleshent që është në rritje. Regjisori trajton influencën e nënës dhe mësueses në shpirtin e brishtë e të dyzuar të pesëmbëdhjetëvjeçarit që kërkon aventurën në jetën e vështirë që po i ofrohet. Xhirimet janë zhvilluar në Tiranë, Burrel, Bulqizë dhe Kosovë.

Filmi pas prezantimit si premierë botërore në Çeki do të vijojë të jetë dhe në kompeticione të tjera zyrtare në festivale në shtete të tjera. Pas festivalit “Karlovy Vary”, gjatë kësaj stine vere filmi do të jetë dhe në një festival të filmit në Francë në fund të muajit korrik për të vijuar më pas dhe në Torino, Itali, ndërsa premiera në Shqipëri është menduar të jetë në vjeshtë. Bujar Alimani ka studiuar për pikturë dhe regjizurë në Akademinë e Arteve të Tiranës. Në vitin 1992 ka emigruar drejt Greqisë ku ka punuar si asistent regjisor në disa filma. Filmat e tij me metrazh të shkurtër janë përzgjedhur për të marrë pjesë dhe vlerësuar me çmime në disa festivale kinematografike ndërkombëtare, si në Tampere, Regenyburger, Siena, Sydney, Montpellier, etj. Filmi i tij të parë me metrazh të gjatë “Amnistia”, është gjithashtu i financuar nga “Eurimages”, fondi për kinematografinë i Këshillit të Europës.
 
Shkrimi u publikua sot (22 qershor 2015) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Keni kollë gjatë natës? Ja si ta kuptoni nëse është ftohje apo alergji

Keni kollë gjatë natës? Ja si ta kuptoni nëse është ftohje apo alergji