Shqipëria ka përparuar në aspektin teknologjik në sektorin publik, por ai privat ka ende nevojë për investim. Në finalen e Festivalit Kombëtar të Shkencës, kryeministri Edi Rama tha se po punohet për të rritur financimet për start up-et. Ai i siguroi 6000 nxënësit pjesëmarrës nga 300 gjimnaze të Shqipërisë se qeveria do t’i përkrahë vazhdimisht për të krijuar një sistem për projektet e reja.

“Jemi shumë të vetëdijshëm, në sektorin privat kemi shumë për të bërë akoma. Së bashku me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, jemi duke punuar për të rritur në mënyrë të konsiderueshme financimet për start up-et dhe mbështetjen për ata që kanë potencial dhe nesër mund të kthehen në krijues dhe themelues të start up-eve. Juve s’do t’ju lëmë pas, do të jemi pranë jush, do të krijojmë një sistem që do ta mbështesim edhe me financime që këto projekte që janë ende në bërthamë, të zhvillohen më tutje dhe të hyni në këtë rrugë të pafundme të teknologjisë së re”, tha Rama.

Ai theksoi se gjenerata e re është plotësisht gati dhe në hap me kohën lidhur me ndryshimet e teknologjisë.

“Shqipëria sot ka nevojë për të vënë në lëvizje gjithë potencialet që fshihen në shtratin e gjeneratës suaj. Jeni shumë gati në parametrat e kohës së re kur inovacioni dhe transformimet e teknologjisë janë në shtratin e gjeneratës suaj”, tha Rama.

Kryeministri inkurajoi edhe vijimësinë e bashkëpunimit me universitetet e shkollat e mesme.

“Ne duhet të gjejmë rrugët që të punojmë me universitetet, shkollat e mesme për të rritur kapacitetet e planifikimeve me projektet e duhura për të aksesuar fondet e BE”, tha Rama.

Ai dorëzoi edhe çmimin e parë të fituesve të festivalit, i cili shkoi për shkollën “Zhani Ciko” në Patos. Projekti “Parku Inteligjent i Bletëve”, ishte një përpjekje ekosistem funksional ku ndërthuren të dhënat biologjike dhe digjitale për monitorim mjedisor, edukim STEM dhe zhvillim ekonomik lokal.

"Çdo gjë e prisja nga Patosi, duke qene se është i lidhur me zonën e naftës, por të vijnë vajza e djem nga Patosi të flasin për lulet dhe bletët, është diçka e jashtëzakonshme”, ishte fjala e kryeministrit Rama.

3 çmimet e para të edicionit të parë të këtij festivali u fituan nga gjimnazet “Asim Zeneli” Gjirokastër (vendi i tretë), “28 Nëntori” Shkodër (vendi i dyë) dhe “Zhani Ciko” Patos (vendi i parë).

Lajm në përditësim...