Lezha mirëpriti këtë fundjavë edicionin e dytë të Festivalit Kombëtar të Letërsisë. Mbi 25 shkrimtarë të njohur, studiues, kritikë letrarë dhe lexues të rinj nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora u bënë bashkë në Shëngjin, në një dialog të hapur me njëri-tjetrin. Gjatë këtij aktiviteti treditor u shkëmbyen ide dhe u trajtuan tema të rëndësishme mbi zhvillimin e letërsisë shqipe, si në dimensionin e saj klasik, ashtu edhe në atë bashkëkohor.
Festivali Letrar Shqiptar synon të shndërrohet në një institucion të qëndrueshëm kulturor, që promovon krijimtarinë letrare, fuqizon dialogun ndërbrezor dhe kontribuon në përhapjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
“Është tepër i nevojshëm dhe frytdhënës për të rinjtë, me shkrimtarë që kanë ardhur, që bisedojnë me ta, diskutojnë jo vetëm për çështjet e letërsisë, por në përgjithësi për jetën shqiptare. Në debatet që unë kam asistuar, kanë qenë vërtet shumë të frytshme dhe shohim me optimizëm një brez të ri mjaft inteligjent, mjaft të interesuar për çështjet, jo vetëm për leximin, por edhe për jetën dhe ndonjëherë edhe ne ridimensionojmë mendimet tona”, tha shkrimtarja Diana Çuli.
“Sado që teknologjia sot po pushton gjithë botën, në sferën e letërsisë nuk mund të bëjë dot pa krijimtarinë dhe pa studimtarinë sepse ngrihet mbi një arsenal, kontribut njerëzor. Interneti ofron gjithçka në një kohë më të shpejtë, por për të arritur deri aty, kërkohet dinamikë e madhe, kontribut njerëzor në fushën e krijimtarisë dhe studimit”, u shpreh shkrimtari Ermir Nika.
Temat kryesore që u trajtuan gjatë festivalit ishin tendencat e reja në letërsinë shqiptare, ndikimi i modernizimit dhe globalizimit, raporti mes historisë dhe fiksionit, zhvillimi i zhanreve të reja, eksperimentimi letrar, roli i zërave të rinj, letërsia digjitale dhe ndikimi i përkthimit në komunikimin ndërkulturor.
Komente










