Përgatitjet për finalen e Festivalit Kombëtar të Shkencës kanë hyrë në fazën e fundit, ndërsa 25 grupe gjimnazistësh nga i gjithë vendi bëhen gati të prezantojnë projektet e tyre më 25 prill në Tiranë. Nga kjo atmosferë ka ndarë pamje edhe kryeministri Edi Rama, i cili vlerëson nivelin e ideve dhe projekteve të sjella nga nxënësit në këtë edicion të parë.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama thekson se faza gjysmëfinale e zhvilluar në pesë rajone të Shqipërisë ka sjellë projekte mbresëlënëse, duke nxjerrë në pah angazhimin dhe kreativitetin e të rinjve.

Sipas tij, nxënësit kanë prezantuar punë në fusha si inteligjenca artificiale, robotika dhe inxhinieria, duke treguar një potencial të madh dhe interes në rritje për shkencën dhe teknologjinë.

"Mirëmëngjes me atmosferën e bukur të Festivalit të Shkencës, ku faza gjysmëfinale në 5 rajone të Shqipërisë solli projekte mbresëlënëse nga nxënësit tanë në fusha si inteligjenca artificiale, robotika dhe inxhinieria duke zbuluar një potencial të pashtershëm dhe një pasion të vërtetë për shkencën në këtë edicion të parë, teksa 25 grupe gjimnazistësh bëhen gati për finalen e madhe të 25 prillit në Tiranë, ju uroj një ditë të mbarë" shkroi Rama në rrjete sociale. 

Festivali Kombëtar i Shkencës është zhvilluar në gjimnazet e vendit duke u dhënë mundësi nxënësve të prezantojnë projekte kërkimore, eksperimente, prototipe inxhinierike dhe zgjidhje digjitale.

Nisma, e mbështetur nga Ministria e Arsimit, synonte kthimin e shkollave të mesme në hapësira krijimtarie dhe inovacioni, duke nxitur të rinjtë të aplikojnë njohuritë në mënyrë praktike dhe të pavarur.

Në të njëjtën kohë, festivali synon të rrisë interesin për shkencën dhe të forcojë lidhjet mes arsimit parauniversitar, universiteteve dhe sektorit privat.