Festivali Ndërkombëtar i Bandave Muzikore që po mbahet në Korçë synon të kthehet në një traditë të përvitshme, duke promovuar muzikën frymore, turizmin kulturor dhe bashkëpunimin mes artistëve të rajonit.

“Duke afruar në Korçë, në dy ditë, rreth 200 artistë. Të gjithë janë bashkuar në këtë qytet për të stimuluar sa më shumë bashkëpunime”, thotë Ilir Kodhima, organizator i festivalit.

Në skenat e festivalit janë ngjitur Banda e Qytetit të Korçës, Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si dhe banda të huaja me histori të gjatë artistike. Organizatorët synojnë që ky aktivitet të krijojë ura të reja bashkëpunimi dhe të afrojë të rinjtë me instrumentet e frymës.

“Ky është festivali i vetëm në Shqipëri. Shërben për turizmin, por shërben edhe për instrumentet e frymës që janë drejt zhdukjes”, thotë Blerta Belliu, drejtoreshë e Qendrës së Artit dhe Kulturës.

Pjesëmarrësit ndërkombëtarë vlerësuan organizimin dhe mikpritjen korçare.

“Orkestra jonë është nga Kotori i Malit të Zi. Është një nga orkestrat më të vjetra në Ballkan, e themeluar në vitin 1842. Kjo është hera jonë e parë në Shqipëri dhe çdo gjë është perfektë”, shprehet Dario Krivokapiç, dirigjent i orkestrës nga Mali i Zi.

Edhe banda italiane, me rreth 200 vite histori, vlerësoi atmosferën e festivalit dhe pritjen në Korçë.

“Është një vend shumë i bukur, një organizim i përsosur. Përgëzime gjithë qytetit, sepse është vërtet një mikpritje fantastike. Banda jonë ka rreth 200 vjet histori dhe marrim pjesë në disa festivale ndërkombëtare”, tha Giuseppe Buccucci, drejtues i bandës italiane.

“Është një atmosferë fantastike. Kam parë që janë të paktë ata si qyteti i Korçës që e bëjnë këtë”, vijon Major Altin Babameto, dirigjent i Bandës së Forcave të Armatosura.

Festivali Ndërkombëtar i Bandave Muzikore me pjesëmarrjen e 200 artistëve nga 5 shtete do vijojë dhe mbrëmjen e së shtunës me koncerte në Pazarin e Vjetër te Korçës.