Festivali që u kthye në masakër! Minutë pas minute, si ndodhi ngjarja në Izrael sipas videove të publikuara

Festivali që u kthye në masakër! Minutë pas minute, si ndodhi ngjarja në Izrael sipas videove të publikuara

Pamje nga festivali

'Supernova', duhej të ishte një festival muzikor në natyrë, në kufi mes Gazës dhe Izrelit, me vallëzime e me muzikë elektronike që përkon me festivalin hebre të Sukkot, një nga festimet fetare më të rëndësishme dhe jo një masakër e përgjakshme, si pasojë e një sulmi të befasishëm. 

Videot e fundit përpara se horrori të niste, tregojnë se të rinj, kryesisht të moshës 30vjeç ishin mbledhur për të festuar dhe për tu argëtuar derisa sulmi i befasishëm i grupit palestinez ktheu skenën e festivalit në një vendngjarje të larë me gjak.

Minutë pas minute, pak para se gjithcka të “rrëmbente” normalitetin në atë zonë, të rinjtë po pinin alkool, teksa kërcenin krah njëri-tjetrit vetëm 6 kilometra larg Gazës.

Organizatorët e festës, u kishin premtuar një rrugëtim bashkimi dhe dashurie dhe në fakt, në videot e postuara rreth orës 07:22 me orën lokale, pjesëmarrësit  shfaqen të qeshur dhe duke kërcyer.

Por mbi kokat e tyre, re të vogla me tym të zi sinjalizojnë fillimin e terrorit që po i afrohej. Ato duket se janë tymi që la pas sistemi mbrojtës raketor i përdorur nga ushtria e Izraelit, për të detektuar raketat e lëshuara nga Gaza.

Në orët që pasuan, Hamas do të lëshonte me mijëra raketa në Izrael.

BBC, ka bërë një përmbledhje kronologjike të asaj çfarë ndodhi në festivalin që mbahej në fundjavë, duke përdorur videot dhe postimet në rrjete sociale, të verifikuara, si dhe duke përdorur teknologjinë e njohjes së fytyrës.

Disa prej pjesëmarrësve në festival mund të dallohen teksa shohin tymin e zi mbi kokat e tyre. Të tjerë nuk venë re asgjë dhe vijojnë të kërcejnë.

Në një tjetër video të postuar vetëm pak kohë më pas, muzika ka ndaluar. Njerëzit po evakuoheshin nga vendi ku mbahej festivali. Disa në panik, të tjerë përkulen për t’u strehuar, ndërsa disa të tjerë janë nisur nga dalja.

 “Ata ishin kudo”

Është e paqartë sa minuta kanë kaluar nga nisja e raketave dhe ardhja e personave të armatosur, por dëshmitë flasin për një kohë shumë të shkurtër.

“Kishte raketa, më pas nisën të qëllonin. Vinin nga drejtime të ndryshme dhe zhurma bëhej gjithnjë e më e lartë”, rrëfen një 31-vjeçar i cili ishte pjesë e stafit të festivalit.

“Pashë njerëz të qëlloheshin për vdekje. Sapo pamë këtë, hipëm në xhip dhe rendëm drejt fushave”, u shpreh një tjetër.

Një ‘Story’ në Instagram, e postuar nga një vajzë, tregonte momentin kur në ajër fluturonin raketat, ndërsa njerëzit largoheshin nga festivali.

“U nisëm drejt një rruge kryesore, por disa minuta më pas dikush nisi të bërtiste se militantët po qëllonin. Por pas 2 minutave, kuptuam se militantët ishin edhe nga ana tjetër”, shkruajti ajo për ndjekësit e saj.

Nuk dihet nëse militantët kishin dijeni për festivalin që po mbahej pranë Gazas, por e sigurt është që e kishin dëgjuar muzikën që vinte nga ajo zonë e qetë dhe e izoluar.

Sipas BBC, nuk dihet nëse ata e gjetën aksidentalisht vendin ku po mbahej festivali, por e sigurt është që shkuan të përgatitur për të vrarë.

Të gjitha të dhënat sugjerojnë se kampi ishte rrethuar dhe të gjitha rrugët hyrëse e dalëse ishin bllokuar, ndërsa pjesëmarrësit e festivalit vraponin nga të katërta anët.

“E dinim që do të bllokonin rrugën. Jam i sigurt që shumë njerëz u vranë në ato rrugë. Ne ikëm më makinë në fushë dhe u përpoqëm që të fshiheshim, pak kohë më pas u futëm disi më thellë në fushë dhe ata nisën që të qëllonin me snajper nga vende të ndryshme, si dhe me artileri të rëndë”, tha Gilad, një ushtar izraelit.

E teksa vijonte rrugën me shpresën se do të gjente strehë, Gilad tha se kishte parë një makinë ushtarake izraelite.

“Masakra e kapur në kamera”

Teksa disa rendnin drejt fushave dhe shkretëtirës, militantët kishin zbarkuar në vendin ku zhvillohej festivali, duke vrarë në vend këdo që i dilte para.

Pamjet e kapura nga një kamera në një makinë, në orën 09:23, tregojnë 3 meshkuj që morën pjesë në masakër. Në fillim të videos shihet një trup në dukje i pajetë i shtirë pranë një makine.

Një militant me automatik në dorë shihet teksa urdhëron një person të gjakosur që të shtrihet përtokë, përpara se ta kapë nga bluza nga pas dhe e tërheq tutje. Ai nuk duket më në kamera dhe nuk dihet nëse personi në fjalë mbijetoi.

Më pas, trupi që ndodhej pranë makinës lëviz. Siç duket personi në fjalë po shtirej si i vdekur. Ai ngre kokën për të parë nëse militantët kanë ikur. Gabim fatal. Pak sekonda më pas në kamera shfaqet një tjetër militant dhe e qëllon personin në fjalë me një plumb në kokë dhe largohet.

Nga e njëjta kamera, pak më vonë, shfaqet një grup meshkujsh. Vetëm njëri prej tyre është i armatosur dhe ata duket se po plaçkisin viktimat. Ata shfaqen duke kontrolluar xhepat e një të vrari dhe një valixhe në një makinë të parkuar. Por ata gjejnë më shumë valixhe. Dy persona, një djalë dhe një vajzë që po fshiheshin në një prej makinave zbulohen nga militantët dhe nxirren prej andej.

Vajza rishfaqet 2 minuta më pas. Ajo kërcen në ajër me krahët lart. Me gjasë mendon se po vijnë për ta shpëtuar. Në këtë kohë, forcat izraelite kishin nisur përpjekjet e tyre për t’u ardhur në ndihmë. Por disa sekonda më pas, ajo bie përtokë ndërkohë që plumbat vërshojnë drejt saj. BBC shkruan se nuk dihet nëse ajo arriti të mbijetonte.

Po ashtu, BBC thotë se ka analizuar dhe ka krahasuar imazhet e personave që shfaqen në video nëpërmjet teknologjisë së njohjes së fytyrës. Një prej tyre përputhet me atë të një personi të veshur me uniformë policie, imazh që gjendej në ëebsite e bashkisë së Nuseirat të Gazës.

“I krahasuam këto pamje me programin Amazon Rekognition dhe morën një rezultat të ngjashëm mes 94-97 %”, shkruan BBC, ndonëse le të hapur mundësinë që kjo lloj teknologjie mund të mos jetë 100 përqind e saktë.

“Çfarë mbeti pas”

Nëpër vendin ku zhvillohej festivali, skena të tilla u përsëritën disa herë. Më shumë se 260 trupa raportohet të jenë gjetur në këtë vend, me rrugë të mbushura me makina që nuk ia dolën që t’i mbijetonin plumbave që u vinin me breshëri. Festivali u shndërrua në fushëbetejë dhe për disa makthi vijon.

Hamas deklaroi se ka marrë disa pengje nga ky vend dhe Izraeli thotë se rreth 100 persona nga i gjithë vendi po mbahen brenda Gazës.

Një prej videove më të rënda nga ky festival, është ajo e një vajzë që në mediat sociale mban emrin Noa Argamani. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale nga Hamas, ajo merret me forcë me motor nga militantët, ndërkohë që qan e bërtet në përpjekje për të arritur një djalë që është prangosur dhe shoqërohet nga militantë të tjerë. Ai e sheh vajzën teksa largohet me motor.

Familja e saj dhe familjet e personave të tjerë që u morën peng në festival presin lajme për fatin e njerëzve të tyre të dashur dhe mbetet e paqartë sesi Izraeli synon t’i lirojë ata./BBC

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja