/ATSH-B.Jashari/.-Ministria e Jashtme kosovare fillon festimet e ditëlindjes së shtatë të Kosovës, 17 shkurtit, me garën e fotografive më të mira të Kosovës në rrjetet sociale nga vetë kosovarët.

Fotot më të mira dalin në një libër, ndërkohë që shumë qytetarë kosovarë botojnë foto të bukura të Kosovës duke përdorur hashtagët #instakosova#instakosovo dhe #mfakosova. Më 2013 MPJ e Kosovës ka organizuar një konkurs me ndihmën e Ambasadës Norvegjeze dhe British Council duke aktivizuar rreth 11,000 postime fotografishë në të gjitha rrjetet sociale, duke ofruar kështu material fantastik për librin e parë festiv të Kosovës, të titulluar #instakosova.

Edhe sivjet po organizohet një garë kombëtare me hashtagët#Instakosova dhe #InstaKosovo dhe MPJ e Kosovës fton të gjithë të jenë aktivë dhe të postojnë postimet e fotografive që reflektojnë mbi kulturën, arkitekturën, urbanizmin, natyrën, shoqërinë, jetën e natës, rininë dhe të jetuarit në Kosovë.

Materiali i mbledhur nga këto hashtagë vlerësohet nga një juri pesë-anëtarëshe, e cila përbëhet nga: Blerim Racaj (fotograf), Nita Salihu (dizajnere), Blerta Kambo (fotografe), Arjeta Emra (drejtoreshë e British Council) dhe Era Istrefi (këngëtare). Fotografia më e mirë shpërblehet me 500,00 euro, kurse 10 fotot më të mira me nga 100,00 euro. Gara përfundon në 3 shkurt 2015. Ndërkohë, kjo juri do të përzgjedhë rreth 100 foto, të cilat do të publikohen në një libër fotografishë, duke shënuar kështu edicionin e dytë të këtij publikimi dhe duke festuar po ashtu pavarësinë e Kosovës.

Ky libër do të ndahet falas në institucione të ndryshme shtetërore nëpër botë dhe hapësira të ndryshme të artit e kulturës. Sivjet, #instakosova do të lançojë edhe ëebfaqen e vet aktive, ku rriten mundësitë për të publikuar edhe video, gjithmonë nën #instakosova. Publikimi i parë instakosova ka nxjerrë si fitues fotografët Arben Llapashtica, Beni Cufi, Besnik Hasanaj, Fisnik Dobreci, Shkëlzen Rexha dhe është vlerësuar si publikimi më autentik i shtetit të Kosovës për audiencën e vendit dhe atë ndërkombëtare. Ky libër ka fituar edhe çmim për projekti më të mirë i diplomacisë digjitale në disa publikime ndërkombëtare.