Kisha Katolike në Shkodër përkujtoi 10-vjetorin e lumturimit të 38 martirëve shqiptarë me një procesion që u mbajt mbrëmjen e së mërkurës.
Besimtarët ecën nga Katedralja e Shën Shtjefnit drejt varrezave katolike të Rrmajit, në kujtim të martirëve dhe të përndjekjes së klerit katolik gjatë regjimit komunist.
Pikërisht në varrezat e Rrmajit, më 4 nëntor 1990 Dom Simon Jubani kremtoi meshën e parë publike pas 23 vitesh ndalimi të fesë. Ajo meshë shënoi rikthimin e kremtimeve fetare publike në Shqipëri.
Kryeipeshkvi i Shkodrës, Imzot Giovanni Peragine, u bëri thirrje besimtarëve të ndjekin shembullin që u kanë lënë martirët e Kishës Katolike.
“Është Kisha që ka rifilluar jetën e saj, Kisha për të cilën martirët kishin ëndërruar, së cilës i kishin shërbyer dhe për të cilën kishin dhuruar edhe jetën e tyre, gjakun e tyre. Këtë ecje po e bëjmë sonte edhe ne, si njerëz që jemi në lavdinë e Zotit. Ne duhet të angazhohemi që Kisha jonë të jetë e bukur dhe e nderuar. Jemi ne ata që do ta shenjtërojmë Kishën tonë me sjelljen tonë. Ne jemi të përforcuar nga gjaku i tyre. Gjaku i martirëve është fara për një krishterim të ri. Vetëm kështu mund t'i nderojmë dhe t'i lartësojmë martirët.”- tha Peragine.
Më 5 nëntor 2016, në sheshin e Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër, Kisha Katolike lumturoi 38 martirët shqiptarë, mes tyre edhe kryeipeshkvin Vincens Prenushi. Dhjetë vjet pas asaj ceremonie, procesioni drejt Rrmajit rikujtoi dëshminë e atyre që humbën jetën për besimin e tyre gjatë regjimit komunist.
“Duke kërkuar bekimin e Zotit sonte, në këtë vend ku ka rifilluar jetën Kisha në Shqipëri, jemi të ftuar të mendojmë për pagëzimin tonë, për pagëzimin që kemi marrë në sakramentin e pagëzimit, për përgjegjësinë që secili prej nesh ka për të dëshmuar Krishtin dhe për të shpallur bukurinë e jetës së krishterë.”- u shpreh Peragine.










Komente
Komento