Në të gjithë Shqipërinë është përkujtuar sot 108-vjetori i Pavarësisë. Në rrethe është vënë re që politika i ka ndarë festimet.

Është përkujtuar 28 Nëntori në memorialin e “Dëshmorëve të Kombit” në Berat.  Drejtues vendorë, historianë, familjarë të firmëtarëve të aktit të Pavarësisë dhe qytetarë ishin të pranishëm në ceremoni.

Politika ishte e ndarë edhe në Berat, ku përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe të partive të tjera opozitare,i zhvilluan homazhet 30 minuta pasi ishin larguar pushtetarët.

Në Durrës, bashkia nuk kreu asnjë aktivitet me rastin e 28 Nëntorit për shkak të pandemisë.

Ndërsa të shumtë ishin qytetarët që nga Shqipëria dhe Kosova që kanë zgjedhur të kalojnë ditët e pushimit në qytetin bregdetar.

Pavarësisht se mungonte atmosfera festive kafene e zonës së plazhit ishin plot këtë të shtunë.

Në Elbasan homazhet  u kryen pranë bustit të Aqif Pashës dhe Lef Nosit, fillimisht nga përfaqësuesit e qeverisë dhe bashkisë.

Ndërsa pas një ore vendosen tufa me lule opozitarët e Elbasanit.

Edhe në Lezhë u kremtua këtë të shtunë 108-vjetori i shpalljes së pavarësisë. Me pjesëmarrje të kufizuar,  pranë obeliskut të Besëlidhjes u ngrit flamuri dhe u vendosen kurora me lule nga autoritete lokale. Gjatë ceremonisë policia u angazhua për të ndaluar grumbullimet në qender të qytetit.

Në sheshin "Europa Plazza" kryebashkiaku i Fierit dhe deputetët e PS-së morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit.  Ndërsa demokratët e Fierit kremtuan Pavarësinë dhe Ditën e Çlirimit.

Një paradë me kuaj dhe makina të Discover Jeep Albania krijoi një atmosfere të këndshme në këto ditë festash, ndryshe nga vitet e tjera.