Sipas Freedom House Shqipëria, ka bërë tranzicion të rregullt dhe paqësor të pushteteve, gjatë ndërrimit të qeverisë pas verdiktit të zgjedhjeve të 2013 duke e bërë një hap me koefiçent 0.25
Përmirësime Shqipëria ka pësuar edhe në lidhje me qeverisjen demokratike, sërish me një koefiçent 0.25, duke kaluar nga vlerësimi me koefiçent 5 që ishte në 2013 në në 4.75 në 2014. Në vlerësimi e Freedom House, 1 është nota më pozitive ndërsa 7 ajo më negative.
Në këtë kuadër edhe demokracia në vend ka shënuar progres, nga 4.25 në 4.18. Ndërkohë në të njëjtat vlerësime kanë mbetur fusha si shoqëria civile, korrupsioni, demokracia e pushtetit lokal dhe pavarësia e sistemit gjyqësor.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, drejtoresha e këtij raporti, Sylvana Kołaczkowska, tha se “ka shenja të hershme se qeveria e re është e interesuar të ndërmarrë reforma, për të ndalur procesin e konsolidimit të pushtetit të vënë re gjatë mandatit të dytë të qeverisë së mëparshme të kryeministrit Berisha.”
“Në këtë pikë është ende herët,” shtoi ajo. “Kemi parë jo vetëm retorikë, por edhe hapa konkrete, megjithatë mendoj se është ende herët për të festuar. Ajo që mund të them është se duket të ketë një vullnet politik më të madh në këtë qeveri sesa në atë të mëparshmen për të zgjidhur disa nga dobësitë kronike në vend, në veçanti në sistemin gjyqësor shqiptar.” theksoi Sylvana Kołaczkowska
Po ashtu drejtoresha e projektit tha se një nga problemet më të mëdha për drejtësinë në Shqipëri mbetet mungesa e llogaridhënies nga ana e zyrtarëve të lartë.
“Mbajtja e përgjegjësisë para ligjit ka qenë e ulët në Shqipëri. Ky problem nuk është trajtuar sa duhet dhe duket se nuk ka patur përmirësim përsa i takon llogaridhënies së politikanëve të lartë para drejtësisë. Pushteti ekzekutiv vazhdon të ketë shumë ndikim tek gjyqësori. Ka një ndjesi të përhapur se shteti ligjor nuk zbatohet në mënyrë të barabartë ndaj të gjithëve. Mendoj se kjo duhet të ndryshojë, që njerëzit të mund të kenë besim tek institucionet,” shtoi ajo.
(Në foto: Tabela e raportit të Freedom House me koefiçentat përkatës për Shqipërinë)
Po ashtu raporti vlerëson marrëdhënien e qeverisë së Kosovës dhe krahinave të saj serbe, dhe po ashtu edhe po ashtu marrëveshjen historike siç cilësohet në raportin e Kombeve në Tranzicion.
Sa i përket rajonit të Ballkanit, theksoihet pozitivisht anëtarësimi në BE i Kroacisë dhe së bashku më Shqipërinë mbajtën zgjedhje të lira dhe të rregullta.
FH: Rusia rol destabilizues, Europa rritje të korrupsionit
Freedom House vlerëson negativisht rolin e Rusisë si një faktor destabilizues dhe frymëzim për politikat që çojnë në regres të institucioneve të lira gjatë gjithë Euroazisë duke e çuar rajonin në një nivel të ri dhe alarmant të represionit gjatë vitit të kaluar.
Ndër të tjera në raport thuhet se është rritur edhe korrupsioni në Europën Qëndrore dhe Lindore gjatë vitit 2013, me gjymsën e 10 vendeve kryesore të BE-së të cilat kanë shënuar regres në këtë drejtim.
Nga 29 shtete të marra në shqyrtim, 13 prej tyre janë cilësuar si demokratike, 6 regjime në tranzicion dhe 10 shtete si regjime autoritare. Kombet në Tranzicion 2014 konstaton si prirje dominuese në të gjithë Euroazisë dhe Ballkanit, pengesat ndaj qeverisjes demokratike, si dhe në vendet pas-komuniste në Evropën Qendrore, ku vazhdimësia e klientelizmit dhe korrupsionit ka qenë e pranishme edhe vitin e kaluar.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)