Prej disa ditësh Greqia është paralizuar nga protesta e fermerëve grekë për vonesat me dhënien e subvencioneve të BE-së pas një skandali korrupsioni.

Në lidhje me këtë situatë të trazuar në vendin fqinj, gazetari Edmond Guri, tha në ‘Sot Live në Shqipëri’ se fermerët kanë intensifikuar protestat, madje priten t' iu bashkohen edhe fermerë të tjerë nga zona të ndryshme të vendit.

“Protesta ka intensitet dhe i janë bashkuar edhe fermerë nga shumë zonave, priten t’i bashkohen edhe fermerët nga ishulli i Kretës. Ata qëndrojnë të palëvizur ndaj kërkesave të tyre, nuk pranojnë takime me ministrin e bujqësisë, sepse i konsiderojnë si tallje, pasi nuk i kanë ofruar ndonjë zgjidhje. Fermerët duan vetëm takim me kryeministrin. Gjatë protestave ka pasur përleshje me policinë, qeveria nuk po vepron për momentin ,por do vetëm të hapen rrugët e bllokuara”, tha Guri.

Ai shtoi gjithashtu se protestat janë vetëm të fermerëve, nuk janë të ndikuar politikisht.

“Protestat janë të vetëm fermerëve, jo të ndikuara politikisht. Për shkak të korrupsionit, fermerët nuk kanë mundësi të marrin disa shuma të vogla që i takojnë. Do të ketë një zgjerim të protestës, deri në bllokimin e porteve”, shtoi ai.

Ndërkohë veç protestave, Greqia është përfshirë edhe nga moti i keq. Për këtë situatë Guri shprehet se për shkak të ndryshimeve klimaterike dhe të dorës së njeriut.

“Në Athinë e zona të tjera ka pasur dëme shumë të mëdha, shtëpi të përmbytura. Si pasojë e përmbytjeve, fatmirësisht nuk kemi pasur jetë të humbura. Qyetarët janë paralajmëruar më parë me anë të mesazheve. Ndryshimet klimaterike, dora e njeriut dhe zjarret sipas një studimi  thuhet se Greqia ka humbur ¼  e pyjeve të saj. Moti është bërë i paparashikueshëm duke sjellë katastrofa. Shirat e rrëmbyeshëm ka bërë që  emergjencat civile t’i vijnë në moment qytetarëve", përfundoi ai.