Kjo që po shihni është një shtëpi. Ajo ndodhet në Petovë të Fierit dhe në të jetojnë jo pak, por 11 anëtarë të një familjeje.
Është ndërtuar 70 vjet më parë me kallama dhe baltë, në të banojnë sot dy vëllezër, së bashku me nënën dhe fëmijët e dy çifteve. Çdo ditë e më shumë, kjo banesë, përveçse një dëshmi mjerimi, është një rrezik për jetën e 11 anëtarëve të kësaj familjeje.
Kamera e Report TV ka hyrë në njërën nga dhomat e kësaj ngrehine që banorët e quajnë shtëpi, brenda së cilës jeton një nga familjet. Brenda saj jeton një prej dy vëllezërve, Milajet Gremaj. Ai ka tre fëmijë dhe së bashku me gruan jetojnë në një dhome ku tavani i saj është gati të bjerë duke rrezikuar pesë pjesëtarët e kësaj familjeje.
E njëjta situatë është dhe në familjen e vëllait tjetër me 6 vetë ku me ta jeton dhe nëna e tyre Minushja.
“Ne jemi me një dhomë pesë vetë, bukën nuk e hamë dot, nuk mund të punojmë dot sepse jemi të sëmurë, vetëm burri punon. Ai na ushqen ne, pesë veta në një familje, dy fëmijë i kam në shkollë, librat nuk ua kam blerë dot, nuk kisha para, kanë vetëm gjysmat”, sqaron situatën Gëzime Gremaj.
Kryefamiljari Milajet Gremaj “Shtëpia po më bie, është 70 vjet e vjetër, jam pa punë dhe ndihmë nuk kam pasur. Ushqehem me nga një ditë punë, nëse nuk punojmë marrim borxh ushqimet në dyqan”.
“Fëmijët po kërkojnë rroba, nuk kemi me çfarë ti blejmë. Shteti nuk çanë kokën fare” thotë Minushe Gremaj, e moshuara e familjes.
Lagështia e pranishme në çdo cep të shtëpisë dhe varfëria që ka pllakosur brenda saj japin alarmin e një ndërhyrje urgjente, përndryshe nesër do të jetë vonë.
Redaksia Online
A.Gj/Shqiptarja.com

VIDEO










