FIER- Përfundon me sukses odiseja e dy personave, të cilët prej 12 orësh qëndruan të izoluar mes lumit Vjosë.

Pas një operacioni të kryer sot rreth mesditës, policia në bashkëpunim me autoritete e komunës Hekal kanë ndërmarrë një operacion shpëtimi. Në kohën që prurjet e lumit kanë rënë, tek një mjet tip Fadromë është lidhur një litar, i cili është çuar në krahun tjetër të lumit ku ndodheshin dy punëtorët. Këta të fundit e kanë lidhur skajin tjetër të litarit me eskavatorin duke tendosur litarin dhe më pas kaluan pa probleme në krahun tjetër, ku i prisnin të afërm dhe familjarë. Kështu ka përfunduar kjo ngjarja, e cila për gati 12 orë mbajti në ankth familjarët, strukturat e pushtetit lokal dhe policinë.

Ngjarja u shënua në vendin e quajtur Romes të komuna Hekal në Fier. Dy banorët e kësaj komune ruanin pirgjet me inerte, të cilat nxirreshin nga lumi Vjosë.

Mbrëmjen e djeshme ujërat e lumit Vjosë kanë dalë nga shtrati dhe për pasojë ka vërshuar në drejtim të vendit ku qëndronin të gjitha makineritë por dhe pirgjet me zhavorr të firmës. Dy punonjësit që ndodheshin aty i ka gjetur të papërgatitur kjo situatë dhe nuk kanë pasur mundësi të largohen por kanë hipur në pirgun e madh të zhavorrit të mbledhur.

Kryetari i komunës Hekal, Eqerem Beqaj lidhur me ngjarjen konfirmon se situata është në kontroll. I pyetur në linjë telefonike nga televizioni A1 report është shprehur se është dërguar Shtapi i Emergjencës nga prefekti i Fierit.

Prefekti i Fierit, Albert Bitri ka kërkuar mundësinë e ardhjes së një helikopteri, në rast se nuk gjenden rrethana të tjera për të nxjerrë 2 punëtorët nga vendi ku janë izoluar.

Dilaver Begaj, nënkryetari i komunës Hekal në Fier shpjegon se dy punëtorët janë të izoluar me gjithë mjetet e punës që ndodheshin aty. Ndërkohë ai shton se në komunën e Hekalit nga rreshjet e dendura janë përmbytur 150 hektarë toke nga prurjet e lumit Vjosë, si pasojë edhe nga mungesa e kanaleve shkarkuese të cilat janë të mbyllura nga ndërtimi i autostradës. Gjendja mund të përkeqësohet është shprehur ai në rast se do të ketë shira të fuqishme në zonën e Gjirokastrës.
(eç/shqiptarja.com)