FIER - Rreth 85 familje të fshatit Peshtan Mucaj në komunën Frakull të Fierit prej dhjetë ditësh nuk kanë energji elektrike. Shkak është bërë djegia e transformatorit në kabinën e fshatit. Banorët thonë se janë ankuar pranë prefekturës dhe zyrave të CEZ-it por ende nuk kanë gjetur një zgjidhje.

Mungesa e energjisë i ka lënë ata edhe pa ujë të pijshëm pasi furnizimi me ujë behët me anë të pompave. Banorët thonë se u është vështirësuar mjaft jetesa nga kjo mungesë disa ditore e energjisë.

Kreu i Komunes Frakull, Viktor Cervanaku, ka deklaruar se CEZ-i nuk i është përgjigjur asnjëherë kërkesave të kësaj komune. Kryekomunari pohon se do të shikojë hapësirat ligjore për të blerë një transformator për qindra banorët e ngelur pa drita.

Burime nga kompania CEZ kanë deklaruar se pritet të vijë një kontigjent transformatoresh në ditët në vijim pasi nuk ka gjendje në magazinat e rajonit të Jugut.

(ff/im/shqiptarja.com)