Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak më parë në lagjen “15 Tetori” në qytetin e Fierit, ku një burrë rreth 55- vjeç, me profesion mësues i gjuhës angleze, ka rrezikuar jetën në banesën e tij.
Sipas informacioneve paraprake, 55-vjeçari ndodhej në apartamentin e tij së bashku me bashkëshorten, kur për rrethana ende të paqarta ka rënë nga kati i gjashtë i pallatit, duke mbetur i varur në pjesën e jashtme të ndërtesës. Situata ka qenë tejet e rrezikshme dhe ka zgjatur disa minuta, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.
Në vendngjarje kanë mbërritur dy automjete zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur ndërhyrjen dhe shpëtimin e tij. Po ashtu, janë grumbulluar forca të shumta të policisë, të cilat kanë siguruar perimetrin dhe kanë ndjekur procedurat përkatëse.
I lënduari është transportuar me urgjencë nga autoambulanca e urgjencës 127 drejt Urgjencës Kirurgjikale të Spitalit të Përgjithshëm të Fierit, ku po merr ndihmën mjekësore të nevojshme.
Burime spitalore bëjnë me dije se ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa forcat e policisë janë paraqitur edhe në ambientet e spitalit për të vijuar veprimet hetimore.
55-vjeçari është baba i dy djemve që jetojnë në Tiranë, ndërsa shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende nën hetim nga autoritetet.
Komente









