Deputetja e PD, Majlinda Bregu ka vizituar sot familjen e të ndjerës Liljana Rukaj, që humbi jetën pasi burri i saj e hodhi nga dritarja e apartamentit nga kati i katërt.

Bregu ka deklaruar se drejtësia duhet të vihet në vend dhe nëse bashkëshorti i saj, Ferdinand Rukaj do të shpallet si një i sëmurë mendor do të ishte diçka e papranueshme.

Më e rëndë për të ka qenë edhe rrëfimi i vëllait të viktimës, i cili i ka treguar deputetetes se nuk ka ende në dorë vendimin e dytë të urdhrit të mbrojtjes së 25 nëntorit. Sipas saj nuk është normale që sot ka një viktimë ndërkohë që urdhëri nuk është zbardhur ende.

Ajo u ka kërkuar organeve kompetente që të të nisin procedurat për të krijuar kushtet e domosdoshme për fëmijët jetim.

"Urdhëri i mbrojtjes nuk ka kryer asnjë punë dhe ai nuk kryen punë për njerëz me probleme, ai s’ka qenë pijanec, dhe nuk mund të kalohet me tezën e një të sëmuri mendor, kjo do të ishte vrasja e dytë e Liljanës, vajza e së cilës kishte ditëlindje, djali është në shkollë. Ai ka nevojë për psikologun pasi ai e ka parë gjithë skenën, ata fëmijë kanë nevojë dhe për siguri ekonomike", ka deklaruar Bregu. 

Një pension për fëmijët, shitja e apartamentit ku jetonte më parë viktima dhe kryerja e kalimit të pasurisë për të ardhmen e tyre, ndoshta nuk mund ta zëvëndësonin praninë e nënës,  por për Bregun është e nevojshme sigurimi i së ardhmes së dy fëmijëve jetim. 

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)