FIER- Shtatë pjesëtarë të familjeve të dy vëllezërve Shehu prej 30 ditësh vijojnë të jetojnë në qiell të hapur, teksa banesës ku jetonin prej 60 vitesh i doli pronari, dhe me vendim gjykate përmbarimi i nxori nga shtëpia.
 
Shtatë pjesëtarët e familjeve të dy vëllëzërve Eduart dhe Albert Shehaj nga qyteti i Fierit, në pamundësi për të gjetur një strehë jetojnë pranë ish banesës tyre, tashmë të shembur nga pronari i ri.
 
Apeli i vëllezërve Shehu karshi instancave vendore për gjetjen e një banese ka rënë në vesh të shurdhët, ndërsa “A1 Report” sjell pamje të ambienteve ku jetojnë familjet Shehaj, pamje të cilat nuk kanë nevojë për koment.
 
“Duhet të marrin masa se kemi fëmijët që fillojnë shkollat. Mbrëmë ishte një llahtar nga vetëtimat dhe na u tromaksën fëmijët. Shirat po fillojnë dhe djali im nuk shkon dot në shkollë”, thotë Eduart Shehu.
 
Prag vjeshta me shirat saj i gjen pjesëtarët e familjeve Shehaj në mëshirë të fatit, e ndërsa shigjetojnë sistemin e drejtësisë për këtë “fat” të rezervuar, nuk ngurojnë të ripërsërisin apelin për ndihmë.
 
“Zoti kryeministër vër dorë sepse kjo është drejtësia shqiptare, kjo është Gatja që po flasim ditë për ditë, Gatja, ata gjygjtarë që bëjnë këtë masakër. Megjithatë do ta çojmë deri në fund drejtësinë”, thotë Albert Shehaj.
 
Ndërkohë instancat vendore ende nuk kanë marrë asnjë masë për zgjidhjen e problemit për familjet Shehaj.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)