Fqinja e së miturës së dhunuar nga 3 vajza në Fier, shprehet për Report TV se ngjarja tronditëse e ka shokuar. 17-vjeçarja shkonte shpesh në shtëpinë e Lavdie Çepeles, e cila rrëfen detaje nga 8 qershori, dita kur e mitura shkoi në shtëpi me shenja dhune.

“U prekëm shumë. Unë e kam rritur atë. Ky muhabet ka që në datën 8, mbush muajin nesër. Erdhi çupa e dhunuar, por nuk tregoi gjë për momentin. Ishte në kurs, doli nga kursi, dolën shoqet përpara, e rrahën. Erdhi në shtëpi me blana, e pyeti e ëma, tha isha sëmurë, bëra serum, u godita, nuk tregoi. Iu kundërvu e ëma, pasdite vonë tregoi. Mori çupën dhe bëri denoncimin në polici. Nga data 8 asnjë përgjigje s’ka marrë tha, i thoshin e ka prokuroria rastin”, tha Çepele.

Dhuna e bëri vajzën të pësonte shenja të forta stresi nga trauma e kësaj ngjarjeje duke reaguar ndaj çdo zhurme. Fqinja thotë se 17-vjeçarja është vajza e madhe nga tre fëmijët e familjes. Nuk i njihte vajzat që e dhunuan, përveç njërës që e kishte në shkollë.

“Më thanë hajde se kemi një sqarim”, citon Çepele fjalët e së miturës dhe më pas “e morën në shtëpi dhe e rrahën”, shton ajo.

Pamjet e dhunës së 17-vjeçares janë bërë virale, por ajo nuk është në dijeni të këtij fakti.


Lajmi kryesor:

Rrahën shoqen dhe e filmuan, nën hetim tri vajzat në Fier! Arrestohet njëra prej tyre, 15-vjeçarja kishte dhunuar edhe nënën