FIER- Përfundojnë në pranga 13 persona, mes tyre ish-drejtori Ujësjellësit të Patosit dhe një farmacist, të akuzuar për grabitje me armë. Policia e Fierit organizoi ditën e djeshme një operacion të koduar “Mbrostar 2014” i cili u finalizua me ndalimin e 13 personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve për grabitje të kryera në rrethet Fier, Lushnje, Berat, Vlorë dhe Elbasan.

Të ndaluarit janë Abedin Baçja, 24 vjeç, me nofkën “Dine”, Klaudjo Grembi, 26 vjeç, me nofken“LLapi”, Artur Meçaj, me nofkën “Maloku”, Kristo Dunga, 25 vjeç, me nofkën “Roboti”, Mario  Kaja, 32 vjeç, Marjo Kaja, 23 vjeç, Fatos Muço, me nofkën “Dërri”, Saimir Atija, 31 vjeç, Idi Shala, 25 vjeç, Erlin Çela, 22 vjeç, Dritan Veliu, 22 vjeç, me nofkën “Çeçe”, Baftjar Gropa, 46 vjeç dhe Alfred Çela, 47 vjeç.

Grabitjet
Policia e Fierit bëri të ditur se të ndaluarit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer një sërë grabitjesh në disa qytete të vendit. Aktualisht, policia ka dokumentuar nëntë vjedhje që dyshohet se janë kryer nga anëtarët e këtij grupi. “Janë gjashtë farmaci, dy banesa dhe një lokal, të cilat dyshohet se janë grabitur nga 13 personat e kapur” thanë për gazetën “Shqiptarja.com” burimet policore të cilat shtuan se, dy mes të ndaluarve janë Baftjar Gropa, ish-Drejtor i Ujësjellësit të Patosit, dhe Alfred Çela, farmacist në Tiranë. Ende nuk jepet, për arsye hetimi roli i saktë i ish-drejtorit të Ujësjellësit, ndërsa dyshohet se farmacisti i shiste barnat e vjedhura në farmacinë e tij, në kryeqytet.

570 milionë në Berat
Vjedhja e rreth 570 milionë lekëve të vjetra në banesën e shtetasit E.P, në Berat, vuri në lëvizje policinë rreth katër muaj më parë. Megjithëse policia ishte vënë në lëvizje për kapjen e autorëve, ata kanë mundur të kryejnë edhe shtatë vjedhje më pas. “Një prej autorëve është diktuar gjatë një grabitjeje dhe identifikimi i tij ka sjellë dhe zbulimin e anëtarëve të tjerë të grupit, të cilët kanë kryer dy vjedhje gjatë vitit të kaluar dhe shtatë brenda dy muajve.

Nga hetimet e kryera rezulton se është grabitur me armë një banesë në Berat, një farmaci dhe një lokal në Elbasan, një banesë dhe një farmaci në Lushnje, një farmaci në Vlorë, dhe tre farmaci në fshatrat e Fierit. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e të ndaluarve, u gjetën një armë automatike, një Pushkë snajper, një granatë, një Shotgan, një sasi municioni, një sasi e konsiderueshme barnash mjekësore si dhe lëndë narkotike.

Të ndaluarit:
Abedin Baçja
Klaudjo Grembi
Artur Meçaj
Kristo Dunga
Mario  Kaja
Marjo Kaja
Fatos Muço
Saimir Atija
Idi Shala
Erlin Çela
Dritan Veliu
Baftjar Gropa
Alfred Çela

Shkrimi u publikua sot (04.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)