FIER - Gjykata e Fierit dha sot masën e sigurisë ndaj dy të akuzuarve për grabitjen e ndodhur në një argjendari në qendër të Fierit më 5 Korrik. Arrest me burg për 30 ditë është masa që u mor ndaj shtetasit Ardit Fejzullahu, ndërsa për bashkëpunëtorin e tij në grabitje, Armando Mita, u dha masa arrest me burg pa afat.

Autorët akuzohen për vjedhje në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Seanca gjyqësore filloi në orën 10:30 me gjyqtar Ergert Pëllumbi, prokuror Artan Beja dhe avokaten e Mitës, Anila Haxhiu.

Burime për A1 Report konfirmojnë se Ardit Fejzullahu nuk është paraqitur në seancë pasi është plagosur nga bashkëpunëtor i tij në vjedhje, Mita, pas një zënke që kanë pasur për ndarjen e floririt të grabitur.

Ardit Fejzullahu i njohur ndryshe me emrin Ervin Fejzullahu 21 vjeç dhe Armando Mita 20 vjeç, të dy banues në Fier janë dy personat e vënë në pranga si autorë të dyshuar të këtij krimi. Arrestimi i tyre u bë 3 ditë më parë në Fier.

Të dyshuarit kanë hyrë të armatosur dhe me maska, në mes të ditës dhe në mes të qytetit, duke nxjerrë jashtë argjendarisë klientët dhe duke detyruar pronarin e saj të japë të gjithë mallin.

Ata grabitën një sasi prej 2 kg florin dhe arritën të largoheshin, ndërsa pas publikimit të videos së grabitjes në youtube policia akuzoi pronarin e saj për nxjerrje të sekretit hetimor.
(sg/gm/shqiptarja.com)