Fier- Një 40-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore është vendosur në pranga, pasi kërcënoi punonjësin e policisë së FNSH-së për shkak të detyrës.

Sipas policisë vendore, Alesio Xhelo e ka ofenduar dhe kërcënuar punonjësin e policisë, një ditë më parë.

"Alesio Xhelo, 40 vjeç, banues në Fier, i cili ishte me masë sigurie "Arrest në shtëpi", me mbikëqyrje policore 24 orë, për veprat penale "Trafikimi i armëve dhe municionit luftarak", "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit", "Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit", të kryera në bashkëpunim dhe "Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit", e mbetur në tentativë", thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

40-vjeçari Alesio Xhelo, prej tre vitesh ndodhet në “arrest shtëpie”, për shkak të shkeljes së afateve të paraburgimit.

Burime nga policia e Fierit konfirmojnë për Report Tv se çështja ndaj 40-vjeçarit, mbi të cilin rëndojnë disa vepra të rënda penale, ka kaluar në Apelin e Tiranës, pasi kërkohet nga shteti grek, ndërsa figuron si i arratisur prej vendit fqinj, bashkë me 3 shqiptarë të tjerë më 2019, nga burgu grek.