Një 34-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Fierit, pasi është kapur duke drejtuar mjetin pa patentë. Mësohet se është ndaluar shtetasi Halim Beqiri, banues në fshatin Mashkullorë, Gjirokastër, i cili ka kundërshtuar punonjësit e policisë në momentin që është kapur në shkelje.

Sipas uniformave blu, arrestimi i 34-vjeçarit u bë pasi në vendin e quajtur "Rotondua e Sheqit", Fier, është kapur nga patrulla e policisë, duke drejtuar mjetin tip Benz me targa AA 443 ES, pa leje drejtimi.

Ky shtetas nuk i kishte qëndruar patrullës së policisë rrugore në aksin rrugor Lushnjë–Fier dhe më pas u bë i mundur ndalimi i tij në vendin e quajtur "Rotondua e Sheqit", Fier.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale "Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt" dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik", parashikuar nga Nenet 291 dhe 242 të Kodit Penal.

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com