Me shumicë votash, Këshilli Bashkiak i Fierit vendosi të mos pajisë me zyrë Partinë Socialdemokrate të Tom Doshit. Ndërsa kërkesa për të ulur taksën e infrastrukturës u shty për mbledhjen e ardhshme, pasi nuk është shprehur ende kryetari i Bashkisë. Mbledhja u karakterizua nga debate mes socialistëve, ndërsa demokratët qëndruan në heshtje.

***

Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Fierit u shoqërua me debate mes kryetarit të Këshillit, socialistit Melsi Bogdani dhe disa këshilltarëve të të njëjtës forcë politike.

Në rendin e ditës u futen dy pika që nuk kanë kaluar nga administrata e Bashkisë por erdhen si propozime të një grupi këshilltarësh bashkiakë. E para lidhet me uljen e taksës së infrastrukturës për ndërtuesit nga 7% në 4%, ndërsa e dyta për dhënien e një zyre me qira për Partinë Socialdemokrate.

Lidhur me rishikimin e taksës së infrastrukturës, u bë me dije se kjo pikë nuk mund të shqyrtohej pasi pritej qëndrimi i kryetarit të Bashkisë, Armando Subashi. Sipas procedurave ligjore, parashikohet një afat 20-ditor për përgjigje institucionale, ndaj u shty për ne mbledhjen e ardhshme.

Në debate u perfshi ish-kryetarja e Këshillit Bashkiak, Antoneta Çunaj ndërsa këshilltarët e opozitës kanë qene me shumë si vezhgues.

Në fund të votimit, me 22 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenim, është rrëzuar kërkesa për dhënien me qira të një zyre për Partinë Socialdemokrate. Kreu i Bashkisë Fier, Armando Subashi, është shprehur se institucioni nuk disponon ambiente të lira për t’ua vënë në dispozicion forcave politike.

Dy pikat kryesore të rendit të ditës që shkaktuan debate në nisje të mbledhjes nuk morën miratim, duke reflektuar përplasjen mes ekzekutivit (bashkisë) dhe Këshillit Bashkiak të Fierit.