FIER - Janë vjedhur 3 kg flori në argjendarinë e rrugës “Kongresi i Përmetit” në qendër të qytetit të Fierit, e cila pasditen e djeshme u bë pre e grabitjes së tretë. Shifra është bërë publike nga policia e qytetit e cila ka bërë verifikimet në dyqanin e vjedhur.

Grabitja ndodhi pasditen e djeshme rreth orës 18:00, ndërkohë që policia vazhdon hetimet për të identifikuar autorët pas dëshmisë dhe përshkrimit që pronari i argjendarisë ka dhënë për grabitësit.

Sipas të dhënave të korrespondentit të A1 Report në Fier Kristaq Thano, 3 grabitësit janë përleshur me pronarin e argjendarisë Vladimir Zotaj. Në zënkë e sipër, ata e kanë qëlluar me tytën e automatikut në fytyrë.  Njëri prej grabitësve mbante një automatik, ndërsa 2 të tjerë kishin pistoleta.

Më pas janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes me makinën tip "Fiat" targa të huaja LU 55 M dhe e kanë djegur mjetin tek stacioni i trenit të qytetit, 3 km larg vendngjarjes.

Sipas policisë kjo argjendari është hera e tretë që grabitet brenda pak kohësh.

Fier, grabitje argjendarie me logo
(Në foto argjendaria e vjedhur në Fier)

(Lajmi u publikua fillimisht 18:20 të 3 janarit  dhe u përditësua 4 janar 2012, ora 08: 40)

Redaksia online
(eç/sg/shqiptarja.com)