FIER - Sipas ekspertizës së policisë 49-vjeçarja e cila u humbi jeten një ditë më parë në qytetin e Fierit është goditur nëntë herë me thikë nga agresorët. Detaje të reja kanë dalë në dritë për viktimën, ndërkohë që ende mbeten të paqarta motivet e këtij krimi të rëndë.

Sipas korrespondentit të A1Report në Fier, Kristaq Thano 49-vjeçarja Aksinje Krytha ose Kokevelaj (mbiemër nga prindërit) ka dalë nga shtëpia me rrobat e shtëpisë dhe me shapka, çka tregon se ajo është marrë nga dikush në telefon dhe ka dalë jashtë. Telefonatat e fundit në telefonin e Aksinjës kanë qenë me numët të fshehur, prandaj pritet që të zbardhen tabulatet e telefonit të 49-vjeçares dhe të zbardhet më tej ngjarja.

Deri tani policia ka përjashtuar mundësinë e grabitjes së 49-vjeçares, e cila punonte si pastruese në lokalin e djalit të motrës.

Aksinje Krytha ose Kokevelaj u masakrua me thikë pranë portës së një vile, banorët e së cilës nuk kanë lidhje me viktimën. 49-vjeçarja është goditur mbi 9 herë me thikë dhe autorët pasi e kanë lënë në një pellg me gjak janë larguar në drejtim të paditur.

E zonja e shtëpisë në portën e së cilës ndodhi vrasja ka lajmëruar policinë dhe ka bërë të mundur dërgimin e 49-vjeçares në spital rreth orës 17:30 minuta por disa minuta më vonë gruaja humbi jetën në sallën e operaconit të spitalit të Fierit.

Gruaja 49-vjeçare ishte nënë e një djali dhe një vajze adoleshente. Krytha (Kokevelaj) ka qenë e martuar në Shkodër por ka jetuar në Fier pranë të afërmve të saj prej 12 vjetësh pasi martesa e saj mori fund. Kohët e fundit 49-vjeçarja kishte ndërruar gjeneralitet e saj në gjendjen civile. Policia e Fierit është e paqartë për motivet e vrasjes, duke iu referuar natyrës së egër të krimit. 49-vjeçarja është varrosur dje në varrezat publike të qytetit të Fierit.

Redaksia online
(eç/kth/shqiptarja.com)