FIER- Piku i sezonit të luleshtrydhes në zonën e Frakulles në Fier po shoqërohet me rritje të eksporteve, pavarësisht dëmeve nga përmbytjet e janarit. Fermerët në pjesët e zonës që nuk u prekën nga vërshimet e Vjosës raportojnë se prodhimi është i mbarë dhe po eksportojnë masivisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Drejtoria e Bujqësisë konfirmon rritjen e eksporteve, ndërsa përllogaritjet përfundimtare pritet të bëhen në fund të sezonit. Kjo rritje shpjegohet me përdorimin e insekticideve biologjike që po aplikohen gjerësisht nga fermerët në Frakull.
Fermeri Nesti Troka, i cili ka 12 vjet që merret me kultivimin e luleshtrydhes, thotë se “kam 3 hektarë tokë të mbjellë me luleshtrydhe dhe të gjithë prodhimin e dërgoj për eksport. Jam shumë i kënaqur me prodhimin këtë sezon. Vjelja filloi që në dhjetor, dhe sot jemi në fazën kulmore. Ka shumë kërkesa për luleshtrydhe, kushtet atmosferike janë të mira dhe sperkatja biologjike është bërë brenda standardeve, pa asnjë problem. Produktet tona eksportohen në Itali, Poloni, si dhe tani në Ballkan – Bosnje, Serbi, Kosovë dhe Mal të Zi.”
Në Njesinë Administrative të Frakulles, fermerët kultivojnë rreth 200 hektarë luleshtrydhe. Ky sezon ka qenë i vështirë për pjesën e fermave që u prekën nga përmbytjet e Vjoses. Në janar, rreth 25 hektarë me luleshtrydhe u permbyten ne fshatin Kafaraj, në njësinë administrative Frakull. Përmbytjet kanë dëmtuar rreth 60 kultivues te cilen ende s’kane marre demshperblimet. Ndërsa serat ne anën tjetër të autostradës Levan-Tepelenë lulëzuan dhe tashmë prodhimi shkon jashtë.
Komente











