FIER-Efektivat e Komisarjatit të Policisë Fier dhe, ato të qarkullimit rrugor, kanë shtuar masat për disiplinimin e trafikut në qytet. Patrullat e policisë kanë kontrolluar të gjitha kryqëzimet kryesore, si dhe nyjet lidhëse me zonat turistike dhe rrugët nacionale.
Prezenca e shumtë e emigrantëve që janë kthyer për të kaluar pushimet verore, lëvizjet e shumta të qytetarëve drejt bregdetit Jon dhe atij Adriatik e kanë rënduar situatën e qarkullimi.
Radhët dhe autokollonat e gjata të cilat arrijnë deri në 3-4 km janë të pranishme cdo ditë, pasi Fieri është ura lidhëse mes gjymtyrëve gjeografike të vendit.
Në fokus të kontrolleve ka qënë verifikimi i respektimit të sinjalistikës horizontale dhe vertikale nga drejtuesit e mjeteve, parkimet paralele , respektimi i lëvizjes në rrugët me një sens kalimi si dhe kontrolli i dokumentacionit për mjetet taksi.
Shefi i qarkullimit rrugor Janaq Zarka, Fier Foto Rrapo Isufaj
"Për t'iu përgjigjur fluksit të lartë të qarkullimit të mjeteve dhe disiplinimin e trafikut rrugor, kemi intesifikuar kontrollet në rrugët kryesore dhe pikat lidhëse me zonat turistike dhe rrugët nacionale", tha Shefi i Qarkullimit Rrugor, Janaq Zaka.
"Aksioni është pjesë e planit shtesë të hartuar nga drejtoria për të mbajtur nën kontroll trafikun gjatë sezonit të plazhit", vijoi ai.
Aksioni i policisë është shoqëruar me penalizime të ndryshme dhe bllokime të mjeteve pa dokumentacion të rregullt, apo të drejtuara nga drejtues të alkolizuar dhe pa leje qarkullimi, pasi qëllimi i tij është disiplinimi i trafikut dhe parandalimi i aksidenteve, pohojnë dejtuesit e policisë.
Kontrollet e policisë janë mirëpritur edhe nga qytetarët, të cilët vuajnë pasojat e mosrespektimit të rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve.
Madje ata, nëpërmjet telefonatave dhe informacioneve falas, kanë informuar për shumë raste shkeljesh, duke u bërë pjesë e programit policor për të parandaluar aksidentet dhe ruajtur trafikun rrugor. /ATSH/