Në ditën e 7- të të grevës së urisë dhe grevës së përgjithshme të punonjësve të shoqërisë Bankers Petroleum, në zyrat e Sektorit Hidrokarbur në Marinzë ende nuk ka asnjë negociatë në horizont.

Gjendja shëndetësore e punonjësve grevistë vijon të mbetet e rënduar; tre prej tyre kanë marrë trajtim mjekësor me injeksione, ndërsa një punonjës është dërguar në spital pasditen e djeshme pas humbjes së ndjenjave dhe lëndimit fizik - ku ka pësuar frakturë në njërin krah.

“Jemi shumë të lodhur, me dhimbje koke, nuk kemi ça të themi. Gjatë natës kemi pasur probleme si tension apo temperaturë, por nuk kemi kërkuar ndihmën e mjekëve”, tha njëri nga grevistët.

Ndërkohë puset në fushën naftëmbajtëse po mbahen nën kontroll nga nënkontrsktorët e kompanisë, të cilët sipas sindikalistëve, po përballen me volum pune të papërballueshëm dhe kushte të pasigurta.

Grevistët kanë pohuar gjithashtu se kjo papërgjegjshmëri e kompanisë nuk mund të kthehet në barrë për punonjësit dhe vendburimin  ndërsa shprehen të vendosur për ti shkuar deri në fund kauzës së tyre.

Në grevën e nisur që prej 15 tetorit dhe e organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur, naftëtarët e Marinzës  kërkojnë rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës në një kohë kur kompania “Bankers Petroleum Albania LTD” hetohet nga SPAK, me dyshimin se i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm, prej 110 milionë lekësh. Naftëtarët tregojnë se paga mesatare është 60 mijë lekë, ndërsa kërkojnë të shkojë deri në 100 mijë lekë në muaj